PD, Duma: 245 mijë më shumë shqiptarë flasin për përkeqësim ekonomik

06/08/2018 12:11

Partia Demokratike përmes sekretares së Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma thoët se një numër më i madh shqiptarësh kanë deklaruar se gjendja e tyre ekonomike është më e përkeqësuar këtë vit,krahasuar me një vit më parë, referuar shifrave të Eurobarometrit të BE-së.

“Eurobarometri, matësi i Bashkimit Europian për ecurinë e vendeve europiane dhe të Ballkanit Perëndimor, po konfirmon vit pas viti përkeqësimin e treguesve të zhvillimit të Shqipërisë. Tre problemet më të mëdha për shqiptarët janë ekonomia, papunësia dhe korrupsioni. Eurobarometri i 2018 për Shqipërinë, fakton që 1 milion 750 mijë shqiptarë deklarojnë që gjendja e tyre ekonomike është plotësisht e keqe. Vetëm në një vit, pra midis 2017 dhe 2018, janë shtuar 245 mijë shqiptarë më shumë, që deklarojnë se gjendja e tyre ekonomike është shumë e keqe. Po ashtu Eurobarometri tregon se për 67% të shqiptarëve papunësia është problemi më i madh i tyre. Në një vit të vetëm janë 315 mijë shqiptarë që e deklarojnë gjendjen e tyre shumë më keq. Këto nuk janë shifra, por jetë njerëzish që përkeqësohen, jo në dhjetë e njëqind, por me qindra mijëra”, thotë Duma.

Ajo i referohet dhe Barometrit për Ballkanin që pasqyron mjerimin e jetesën e keqe, varfërimin social dhe mendor.

“Është e qartë që me këtë model qeverisje ku favorizohet oligarku, personat e lidhur me qeverinë dhe ku i afti bëhet më i pamundur dhe i varfri më i varfër, të vërtetat që i dinë të gjithë shqiptarët për Shqipërinë i fakton dhe Bashkimi Europian. Por shqiptarët fatmirësisht vijojnë të besojnë se hyrja në BE është zgjidhja. Madje besimi se BE është shpëtimi është rritur me 2% brenda një viti, dhe 90% e shqiptarëve kanë këtë qëndrim. Për shqiptarët me këtë qeverisje nuk ka shpresë; nuk ka shpresë nëse vijon rilindja e dështimeve. Është jetike të ndalojmë qeverisjen kundër njerëzve, kundër mirëqenies. Është jetike një tjetër qeverisje, përndryshe rrezikojmë të ndodhë skenari më i keq për shqiptarët, ai që parashikon BERZH”, tha Duma.

Top Channel