Këtë të hënë, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të kreut të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori.
Vendimi për konfirmimin e tij në detyrë u mor më 24 korrik, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse ndaj tij, nga trupa e KPK-së. Ky hap i ndërmarrë nga ONM-ja është i njëjtë me atë që ndërmori pas konfirmimit në detyrë të kreut të Kushtetueses, Bashkim Dedja, po nga KPK-ja.
Pasi të kenë marrë njoftimin me shkrim të KPK-së, veprim për të cilin shkalla e parë e rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve ka 30 ditë afat, komisionerët publikë do ta shqyrtojnë atë krahas rekomandimit të ONM-së. Gjithsesi, deri më tani vendimi i konfirmimit nuk është dorëzuar ende.
Më tej, brenda 15 ditësh nga data e njoftimit të këtij vendimi nga KPK-ja, komisionerët publikë kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë KPA-së.
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve për vettingun dhe përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Top Channel