Pavarësisht se është vetëm 20 vjeç, në qendrën e vëmendjes së Lautaro Martinez ka qenë topi i futbollit. Lojtari argjentinas, i cili kaloi tek Interi pasi u rrit si futbollist tek Racing Club, u shfaq i motivuar për këtë aventurë të re në karrierën e tij.
“Këtu luhet një futboll më dinamik e më i shpejtë, madje dhe fushat kanë ndryshim me ato të Argjentinës. Gjithashtu shokët e skuadrës janë shumë të rëndësishëm për mua, ndihem shumë mirë në këtë ambient të ri”, u shpreh Martinez.
Nuk munguan fjalët me superlativa as për kapitenin e zikaltërve, Mauro Icardi, i cili e ka ndihmuar shumë gjatë ditëve të para në Milano.
“Që para se të zbrisja në aeroport më merrte në telefon, sapo arrita më ofroi ndihmën e tij për çdo gjë, jam shumë me fat që kam një mik si ai. Unë në të kaluarën kam luajtur dhe si trekuartist, ose si sulmues i dytë. Më mjafton të jem i dobishëm për skuadrën”, tha Martinez.
Lautaro është 1 metër e 74 cm i gjatë e konsiderohet si një qendërsulmues modern. Ai u transferua tek Inter nga Racing Club për pak më shumë se 20 milionë euro. Në 4 ndeshje miqësore të zhvilluara, argjentinasi ka arritur të shënojë dhe 2 gola.
Top Channel