Rreth 4 javë pasi Athina zyrtare ka dëbuar dy diplomatë rusë dhe ka ndaluar hyrjen në Greqi për dy të tjerë, me akuzën se kishin bërë përpjekje për të bllokuar marrëveshjen për emrin që Greqia nënshkroi me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë në Prespë, ka ardhur edhe përgjigjja e rreptë e Moskës.
Siç thuhet shprehimisht në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme ruse, më 6 gusht, ambasadori i Greqisë në Rusi, Andreas Friganas është thirrur në dikasterin e politikave të Jashtme, ku është informuar në lidhje me kundërmasat e palës ruse, në përgjigje të veprimeve jo miqësore të Athinës ndaj diplomatëve dhe qytetarëve rusë në muajin korrik.
Ministria e Jashtme ruse i ka dorëzuar gjithashtu ambasadorit grek, vendimin për dëbimin e atashehut tregtar të Greqisë dhe shefit të zyrës së shtypit të Ambasadës greke në Moskë, ndërsa i është refuzuar hyrja në Rusi, kreut të zyrës diplomatike të ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, zotit Georgios Sakelariou.
Megjithëse u duk se acarimi i marrëdhënieve mes dy vendeve muajin e kaluar po shkonte drejt zbutjes, kundërmasat ruse tregojnë se Moska i është përgjigjur me të njëjtën monedhë Athinës, që kishte cilësuar qëndrimin e palës ruse shembull karakteristik të mosrespektimit të një vendi të tretë.
Madje, ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, duke reaguar ashpër për qëndrimin e Moskës në çështjen e marrëveshjes së Athinës me Shkupin, ishte shprehur se “ka ikur koha e diplomacisë së të qenit një ‘pulë e lagur’”.
Ende nuk ka një reagim nga pala greke për zemërimin rus, të shprehur tashmë edhe në një akt të ashpër diplomatik, i cili tregon se marrëdhëniet midis dy shteteve, të cilësuara të mira sidomos vitet e fundit, mbeten ende në një pikë kritike.
Top Channel