Xheremi Korbinit, kryetarit të laburistëve britanikë, në opozitë, iu desh të kërkonte falje për organizimin e një manifestimi në vitin 2010, ku folësi e krahasoi qeverinë e Izraelit me nazistët.
Gjëja më e jashtëzakonshme e kësaj fjalie është se në kontekstin e politikës britanike dhe evropiane mund të jetë tronditëse, por jo e papritur.
Korbini i cili ka mundësi të mira për t’u bërë kryeministri i ardhshëm, ka përkrahur shpesh grupe të majta, të cilët e mbështesin Palestinën në një pikë që shpesh tingëllon si antisemitizëm.
Duke marrë drejtimin e laburistëve, ai ka futur ide ekstreme në rrymën kryesore politike, duke u bërë pjesë e ndryshimeve të fundit në politikën evropiane.
Në dekadën e fundit, Europa ka parë rritje të ekstremeve të djathta e të majta.
Fronti Kombëtar i Le Penit në Francë i la partitë tradicionale mënjanë dhe mori më shumë se një të tretën e votave.
Në Gjermani, AFD fitoi 10% të votave në zgjedhjet e fundit, dhe për herë të parë u përfaqësua në parlamentin gjerman, duke u bërë e djathta e parë ekstreme që futet në Bundestag që pas rënies së nazistëve.
Në Greqi, e majta ekstreme e Syrizës po drejton qeverinë.
Parti të ngjashme, të lëna mënjanë prej kohësh, këtë dekadë kanë fituar pikë në të gjithë Europën. Aq sa Steve Bannon, drejtuesi i të djathtës ekstreme amerikane, u shpërngul në Europë ku thotë se do të jetë e ardhmja e politikave të tij.
Çfarë po ndodh kështu?
Një shpjegim i thjeshtë është se kriza ekonomike e vitit 2008 është ajo që ka lënë pasoja të rënda nëpër Europë.
Votuesit e shohin kështu: bankat falimentuan, ekonomia botërore po merr nga taksat e tyre për të marrë veten, por asnjë nga bankierët nuk është futur në burg, ndërkohë që pagat e punëtorëve kanë vite që nuk shohin rritje.
Revolta kundër sistemit është e kuptueshme, kur e sheh kështu, por pasojat janë të ndërlikuara. Partitë e sistemit fajësohen nga votuesit jo vetëm për pjesëmarrjen në krizë, por edhe për zgjidhjen që kanë ofruar ndaj problemeve ekonomike.
Politika ka krijuar një vakuum në të gjithë Europën, dhe partitë e vogla po nxitojnë ta mbushin, duke ofruar zgjidhje populiste që marrin gjithnjë e më shumë mbështetje.
Këto parti të lëna mënjanë vijnë me ideologji që ishin lënë mënjanë, dhe mes tyre është një nga teoritë e komplotit më të vjetra në botë, antisemitizmi.
Për fat të keq, Korbini nuk është i vetmi udhëheqës Europian që ka sjellë antisemitizmin në rrymën kryesore të politikës. Ai është shembulli i rrallë, ama, pasi është i vetmi që e ka bërë këtë që brenda një partie tradicionale.
Për amerikanët, kjo mund të duket diçka e huaj.
Të njëjtat forca politike që kanë sjellë rritjen e partive ekstremiste në Europë, tani janë të pranishme edhe në SHBA dhe kanë prodhuar politika populiste, në të majtë e në të djathtë. Por nuk e kanë çliruar antisemitizmin si në Europë.
Çfarë e ka sjellë këtë ndryshim? Pjesërisht, fakti që funksionimi dy-polësh i Demokratëve dhe Republikanëve jo vetëm që i lë jashtë partitë e treta, por dhe partitë që ishin lënë mënjanë prej kohësh i lë po aty ku e kanë vendin… mënjanë.
Përveç kësaj, është fakti që misioni moral i SHBA-ve, si policët e botës, që pas Luftës së Dytë Botërore, ka bërë që mbështetja për Izraelin të jetë e palëkundur.
Një tjetër arsye është se komuniteti hebre në Amerikë, gjithnjë vigjilent, e ka luftuar antisemitizmin sa herë që është shfaqur, nga të dyja partitë.
S’ka asnjë politikan në Amerikë që të bëjë atë që bëri Korbini, pa shkatërruar karrierën e vet politike. Europianët ndiejnë shpesh se sistemi i tyre politik është superior ndaj atij të SHBA-ve. Në këtë rast, Europa duhet të mësojë nga Amerika.
Top Channel