Aulon Naci jeton prej vitesh në Austri, por Vlora, qyteti i tij i lindjes e thërret shpesh, ku gati çdo vit vjen me një koncert të ri. Këtë verë kompozimet e tij të fundit i solli në koncertin “Tinguj jetë mes Tokës dhe Detit” në Manastirin e Zvërnecit.
“Në fakt është ajo hapësira midis tokës dhe detit që për mua është e mbushur me tinguj jete dhe këto tinguj të hapësirës dhe natyrës i hodha në partiturë dhe të gjitha veprat që u interpretuan në këtë koncert ishin krijime të miat të fundit, por kishte edhe diçka të ekzekutuar ndoshta më parë, por jo në Shqipëri, pjesët ishin premiere për Shqipërinë”, shprehet Aulon Naci, kompozitor.
E pavarësisht se kreu vetëm Liceun në Vlorë, për të zhvilluar më tej studimet në Itali e më pas në Austri, lidhja me natyrën e bregdetit jugor, duket të shfaqet fort në partiturën e Naçit.
“Kudo ku kam jetuar dhe kam mbajtur koncerte: në Slloveni, Itali, Austri etj, gjithmonë shfaqet identiteti i fortë i lidhjes me Vlorën. Ndoshta është pikërisht natyra: malet dhe deti që bashkon këtë identitet, i shkrin në një të vetëm. Lidhja është shumë e fortë me natyrën, me relievin, por edhe me tokën”, shprehet kompozitori.
Top Channel