Policia e Tiranës ka arrestuar katër persona dhe ka shpallur një tjetër në kërkim duke goditur një tjetër rast të shitblerjes së drogës.
Në sajë të operacionit të koduar “Zallmneri”, janë vënë në pranga Xhevahir Lusha, 47 vjeç, Ilirjan Selimi, 34 vjeç, Ervin Lika, 30 vjeç, Besnik Lika, 26 vjeç, të gjithë nga Tirana. U shpall në kërkim shtetasi B. H., 26 vjeç, po nga Tirana.
Këta shtetas në rrugën “Teuta” u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, ku në bashkëpunim me njëri tjetrin po transportonin qese me lëndë të dyshuar narkotike të llojit Cannabis Sativa, nga banesa e shtetasve (Ervin Lika dhe Besnik Lika, vëllezër), në bagazhin e një automjeti tip “Golf”.
U sekuestruan në cilësinë e provës materiale 67 kg lëndë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa, automjet tip “Golf” dhe tre aparate celularë.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprën penale “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike e kryer në bashkëpunim”.
Top Channel