Debati per kufijtë e Kosovës ka shkaktuar shumë reagime jo vetëm në Kosovë. Ndërkohë që zërave kundër për termin korrigjim të kufijve iu bashkua edhe ish-kryeministri Berisha. Kundër të cilit ka reaguar ashpër Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Berisha takoi në zyrën e tij përfaqësuesit e institucioneve lokale që drejtohen nga shqiptaret në Luginën e Preshevës. Pas takimit me ta ish-kryeministri tha se u kërkoi shqiptareve të Preshevës që mos bëhen pjesë e këtij pazari.
Ai shkruan se Kosova nuk i ka asnjë borxh Serbisë dhe se ajo nuk ka asnjë pëllëmb toke të territorit të saj pasi e kundërta është e vërtetë: “U shpreha se të pranosh idenë e ndarjes së Kosovës në një mënyrë apo në një tjetër mbështet idenë dhe përpjekjen e Beogradit për Serbinë e Madhe në kurriz të Kosovës”.
Sipas ish kryeministrit, zona me tre komuna minoritare si Mitrovica janë disa dhe hapja e një precedenti që kërkojnë serbët në Mitrovicë do minonte paqen dhe stabilitetin në mbarë rajonin.
Por kjo ndërhyrje e ish kryeministrit Berisha nuk është pritur aspak mirë nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Presidenti përkrah idenë e korrigjimit të kufijve.
Ai sulmon ashpër ish-kryeministrin Berisha pa i përmendur emrin duke u thënë se institucioneve të Kosovës nuk i duhen këshillat e atyre që në mes viteve 1992 – 1997 bënin që të mbijetonte makineria ushtarake e Sllobodan Millosheviç.
“Ata duke mbushur xhepat e tyre, u kujdesën me devotshmëri që rezervuaret e tankeve dhe autoblindave të jenë të mbushur plot, përkundër faktit se bashkësia ndërkombëtare kishte vënë sanksione kundër Milosheviçit”.
Thaçi vijon referencën ndaj Berishës kur thotë se nuk i duhen këshillat e atyre që strehuan Bin Ladenin si dhe Arkanin, vrasësin e shqiptarëve të Kosovës.
“Nuk i duhen këshillat e atyre që burgosën Adem Jasharin, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Zahir Pajazit, dhe UÇK-në e etiketuan si terroriste. Ata që sot kundërshtojnë vullnetin e shqiptarëve të Preshevës, Bujanovçit e Medvegjës për bashkim me Kosovën, janë të njëjtit që Presidenti Rugova për së gjalli nuk i lejoi ta shkelin tokën e Kosovës. Këshillat e tyre i takojnë kohës së turpit të historisë shqiptare”, përfundon komentin e tij ne rrjetet sociale presidenti i Kosovës
Top Channel