Më shumë se 10 mijë emigrantë kanë hyrë në Greqi, nga Turqia, nëpërmjet lumit Evros, vetëm në gjysmën e parë të vitit 2018.

Lajmi u bë i ditur nga një organizatë joqeveritare, që monitoron lëvizjen e emigrantëve, e cila theksoi se shifra ka ardhur në rritje, krahasuar me gjysmën e parë të 2017-ës, ku erdhën rreth 7500 të tillë.

“Numri i refugjatëve dhe emigrantëve të ardhur tejkaluan 10,000 në gjashtë muajt e parë të vitit, një shifër kjo më e lartë se numri i përgjithshëm i të ardhurve nga Evros në vitin 2017”, tha Ifigenia Anastasiadi, duke cituar të dhënat e policisë.

Përfaqësuesja e organizatës i bëri thirrje qeverisë që të dërgojë mjekë dhe të përmirësojë qendrën e pritjes “Evros”, të cilën e quajti “një vend të harruar”.

Në vitin 2015, thuajse një milion emigrantë kaluan nga Turqia për në ishujt grekë, por kjo rrugë u mbyll, pas marrëveshjes së Bashkimit Europian me Ankaranë.

Tani kontrabandistët po përdorin lumin Evros për të kaluar emigrantët për në Greqi. Rruga nëpërmjet këtij lumi zgjat 5-6 minuta, por rrjedha e shpejtë ka bërë që shpesh të humbin jetën shumë persona.

Top Channel