Me zërin e tij në sfond dhe tingujt e operës “Peshkatarët e Perlave”, ku ai mori rolin e tij të parë si protagonist, artisti Gaqo Çako është përcjellë këtë të enjte për në banesën e tij të fundit.

Familjarë, miq dhe personalitete nga fusha të ndryshme bënë homazhe në nder të artistit në Muzeun Historik Kombëtar.

“Gaqo Çako do të mbetet për të gjithë artistët e rinj, për ata që ëndërrojnë majat e skenave operistike, si zëri më brilant, si tenori unik, i cili interpretoi me perfeksion maksimal mbi 50 role, kryerole në skenën e Teatrit tonë”, tha Zana Çela, drejtore e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

“Është një artist i përmasave të jashtëzakonshme, por njëkohësisht edhe trashëgimia që ai po lë është e jashtëzakonshme. Jam i sigurtë që kjo trashëgimi do të jetë gjithmonë e gjallë”, tha presidenti Ilir Meta.

Gaqo Çako u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur muzikore me interpretimet e tij jo vetëm në opera, por edhe në muzikën e lehtë dhe popullore, pjesëmarrës në 28 Festivale në Radio Televizionin Shqiptar.

Pasi studio në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës, ai u emërua tenor i përhershëm i Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, menjëherë sapo u kthye në Shqipëri.

Për tri dekada, Çako këndoi shumë role të para të repertorit operistik, duke u bërë kështu tenori kryesor për 30 vite. Operat “Traviata”, “Rigoleto”, “Mrika”, “Lulja e kujtimit”, “Skënderbeu” apo “Toka jonë” janë vetëm disa nga rolet gjatë karrierës së tij të gjatë artistike.

Top Channel