Hapja e burgut të Reçit në Shkodër zgjidh problemi e mbipopullimit. Përurimi i tij u bë këtë të enjte nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin.
Ky institucion ka një kapacitet prej 780 të dënuarish dhe të paraburgosurish dhe është një bashkëfinancim i BE-së dhe qeverisë shqiptare.
“Reforma në sistemin penitenciar, si pjesë e rëndësishme e reformës së madhe në drejtësi që ne kemi ndërmarrë me shume sukses është në drejtimin e duhur. Synimi është krijimi i një sistemi penitenciar të sigurt, profesional, larg ndikimeve politike, në respekt të të drejtave të njeriut dhe sigurisht që t’i përshtatet kërkesave të kohës për të qenë në lartësinë e duhur për rehabilitimin dhe riintegrimin e të dënuarve në shoqëri”, tha ministrja Gjonaj.
Një tjetër drejtim i rëndësishëm i reformës në të cilin është ndalur ministrja Gjonaj janë edhe masat antikorrupsion brenda sistemit të burgjeve. Ministrja tha se po forcohen masat antikorrupsion, nëpërmjet forcimit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve që kontrollon dhe verifikon veprimet e administratës për të gjitha rastet e abuzimit të detyrës dhe shkeljes së ligjit.
Sipas saj një numër i lartë punonjësish të policisë së burgjeve janë kallzuar penalisht në rastet kur janë adresuar raste të ankesave për korrupsion ashtu si dhe në rastet e hetimeve proaktive për mitmarrje dhe favorizim të të burgosurve.
Burgu i ri në Reç të qarkut Shkodër plotëson të gjitha kushtet dhe standardet e trajtimit të personave të paraburgosur dhe të dënuar. Ato i përafrohen standardeve të Bashkimit Evropian, në lidhje me akomodimin, sistemet e ngrohjes, regjimin e aktiviteteve ditore, aktiviteteve sociale, kulturore, edukimit, si dhe atyre sportive etj.
Gjithashtu ky institucion ka në dispozicion ambiente për reparte pune për punësimin e të burgosurve, kushte bashkëkohore të kuzhinës, lavanderisë, ambiente të kujdesit shëndetësor, si ndihma e shpejtë, urgjencë, farmaci, etj.
Top Channel