Veliaj: Shpresëplotë se edhe minoranca e zhurmshme që saboton punët e qytetit, të na bashkohet për Tiranën

01/08/2018 13:19

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, inspektoi përfundimin e punimeve për rikualifikimin e bllokut të banimit tek Dogana, ku janë rehabilituar 35 segmente rrugore, duke përfshirë ndërtimin e infrastrukturës nëntokësore dhe shtrirjen e rrjetit të ri të ujësjellës kanalizimeve.

Ai theksoi se tashmë është koha që edhe ata që kishin në dorë të bënin diçka për Tiranën dhe nuk e bënë, të bashkëpunojnë përtej bindjeve politike, për vendime të rëndësishme për qytetin. “Unë e kuptoj se jo të gjithë punojmë me të njëjtën dëshirë dhe dashuri për qytetin. Ka disa që nuk u vjen mirë pse qytetit po i shkojnë punët mbarë, megjithatë them se është mirë edhe për ata. Një qytet që funksionon, një qytet që është i pastër, një qytet ku njerëzit e duan njëri-tjetrin, është mirë edhe për ata. Edhe për ata që e kishin në dorë dhe mund ta kishin ndryshuar Tiranën, por humbën një shans për ta bërë dhe do të duhet që tani të bashkëpunojmë të gjithë, përtej të majtës dhe të djathtës, për vendime të rëndësishme për qytetin”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se është optimist që edhe minoranca e zhurmshme që do të sabotojë punët në qytet, do të kontribuojë në mbarëvajtjen e punëve të Tiranës. “Këtë frymë ende nuk e kemi parë, megjithatë jam shpresëplotë se duke shtrirë gjithmonë dorën, ne që duam punë dhe që duam qytetin, besoj se edhe ajo minorancë e zhurmshme që do të sabotojë punën në qytet do të ketë mundësi të na bashkohet në këtë vit të fundit, për të thënë edhe ata që dhanë një kontribut modest për mbarëvajtjen e Tiranës”, tha Veliaj.

Gjatë inspektimit, ai theksoi se pas legalizimit të ndërtimeve informale, bashkia po vijon punën për urbanizimin e këtyre zonave, duke u krijuar banorëve të ardhur nga e gjithë Shqipëria kushte më të mira jetese. “Njësia 7 është njësi specifike, ka një pjesë shumë të madhe të asaj që ne e quajmë një kore urbane e pjesës së vjetër të Tiranës, ndërkohë është edhe pjesa e re, kryesisht me njerëz të ardhur nga veriu dhe jugu i Shqipërisë, të cilët gjithashtu meritojnë që pas 27 viteve të trajtohen njësoj si gjithë qytetarët e tjerë Tiranës. Do të thotë legalizim nga qeveria qendrore dhe urbanizim nga bashkia. Tani që kemi urbanizim, investojmë me risitë më të fundit; pra, me ndriçim Led dhe duke e bërë ujësjellësin nga e para”, tha ai.

Veliaj shtoi se edhe në këtë vit të fundit të mandatit, Bashkia e Tiranës do të jetë në terren duke çuar investimet edhe në zonat rurale të Tiranës. Duke vlerësuar investimin e realizuar në këtë zonë të re të kryeqytetit, kreu i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, tha se në 3 vjet janë marrë 300 vendime të rëndësishme, ku pjesa më e madhe e të cilave lidhen me përmirësimin e infrastrukturës. “Jemi më pak se një vit nga vizita e fundit këtu dhe kemi parë një zonë në nevojë për infrastrukturë. Në 3 vjet kemi marrë 300 vendime për Tiranën, nga këto 300 vendime një pjesë e madhe kanë qenë për infrastrukturë, ashtu si kjo ndërhyrje, në këtë bllok. Më vjen mirë që sot banorët do të jetojnë në një rrugë me standarde të mira; marrin vlerë banesat, bizneset etj”, tha Dalipi.

Top Channel