Një gjykatës federal në Seattle të Shteteve të Bashkuara bllokoi publikimin e një programi kompjuterik që u lejon klientëve të printojnë në 3D nga interneti armë zjarri.
Grupi që përkrah qasjen ndaj armëve, “Defense Distributed” publikoi për shkarkim skemat e armëve 5 ditë më parë, të premten e javës së kaluar. Firma në fjalë kishte arritur një marrëveshje me administratën e presidentit Trump gjatë qershorit, për t’i lejuar asaj publikimin ligjor të planeve.
Por, 8 shtete dhe Distrikti i Kolumbias paditën qeverinë gjatë së hënës, me synimin për të bllokuar këtë marrëveshje, duke argumentuar se armët e pagjurmueshme përbënin një rrezik për sigurinë.
Gjykatësi amerikan, Robert Lasnik lëshoi një urdhër të përkohshëm bllokimi, vetëm pak orë para afatit përfundimtar të 1 gushtit, duke thënë se skemat në fjalë mund të binin në duart e gabuara.
“Printera 3D gjenden kudo, në kolegje apo hapësira publike, e për këtë arsye ekziston mundësia e një dëmi potencial të pariparueshëm”, tha ai. Lasnik caktoi datën 10 gusht për një seancë të dytë dëgjimore.
Edhe pse “Defense Distributed” pritej t’i publikonte skemat gjatë kësaj të mërkure, ajo kishte ngarkuar në internet të dhënat për 9 lloje armësh gjatë javës së kaluar. Mes të premtes dhe të dielës, më shumë se 1.000 persona shkarkuan skemat për krijimin e një arme automatike “AR-15”, e njëjta armë që është përdorur në shumicën e rasteve me vrasje masive në Shtetet e Bashkuara.
Publikimin e tyre e kanë kundërshtuar shtetet e Uashingtonit, Nju Jorkut, Massachusettsit, Connecticutit, Pennsilvanisë, Oregonit, Marylandit dhe Distriktit të Kolumbias.
Top Channel