Sekuestrimi i mallrave të skaduara në Korçë, masa administrative ndaj subjektit

01/08/2018 11:41

Një sasi e konsiderueshme mallrash të skaduara është sekuestruar në një magazinë ushqimore në qytetin e Korçës, gjatë aksionit të ndërmarrë nga AKU-ja.

Plot 1.740 litra pije freskuese, çajra e lëng frutash, si dhe 48.8 kg biskota, kek e çokollata, të cilat kishin skaduar prej muajit mars të këtij viti, u gjetën gjatë kontrollit, ndërsa mbaheshin të magazinuara së bashku me produkte të tjera.

Produktet ushqimore mbaheshin në një ambient dykatësh, në të cilin kati i parë funksiononte si njësi shitjeje, ndërsa magazinimi ishte në katin e nëndheshëm jashtë kushteve higjienosanitare.

“Në kuadër të sezonit turistik, Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së organizon inspektime të përbashkëta me drejtoritë rajonale të qarqeve të ndryshme. Konkretisht, gjatë inspektimit në subjektin në fjalë kemi konstatuar produkte pijesh të ndryshme me afat skadence të kaluar, sikurse edhe produkte të tjera. Këto produkte kishin skaduar prej muajit mars, ndërsa inspektimet tona kanë filluar prej qershorit e do të përfundojnë në gusht”, tha Kujtim Agolli, inspektor i AKU-së.

Sipas të dhënave, përveç produkteve të skaduara, në momentin e inspektimit u konstatuan edhe produkte ushqimore pa kundëretiketë në gjuhën shqipe.

Përveç sekuestrimit të mallrave të skaduara, ndaj subjektit u morën edhe masa administrative në vlerën totale 850 mijë lekë.

Për mungesë të kushteve higjienosanitare, subjekti u gjobit me 300 mijë lekë, për tregtim produkti të pasigurtë me 500 mijë lekë dhe për etiketim të parregullt në gjuhën shqipe me 50 mijë lekë.

Top Channel