Aplikimet në universitet, të pasigurtit kërkojnë ndihmën e mësuesve

01/08/2018 15:21

Prej 3 ditësh maturantët në të gjithë vendin po plotësojnë online formularin A2, atë që do i çojë në universitetet e preferuara ose që do penalizojë maturantët që nuk kanë pikë mjaftueshëm për të qenë student.

Pjesa më e madhe e maturantëve e plotëson formularin nga shtëpia, disa nga internet kafetë, ndërsa të tjerë në shkolla nën asistencën e mbikëqyrësve të maturës.

“Në shkollë që të mos bëj gabime”, thotë Amarildo.

Megjithëse shkollat janë të hapura, një nga mbikëqyrëset e maturës në shkollën “Sami Frashëri” thotë se nxënësit që e plotësojnë formularin në shkollë janë më të pakët se vjet. Për disa arsye. “Vijnë për më shumë siguri. sivjet është risi që shfaqen vetëm degët ku ato plotësojnë pikët”, shprehet mbikëqyrësja e maturës.

Amarildo e ka dërguar formularin e preferencave, i bindur se do të jetë fitues që në zgjedhjen e parë, megjithë dilemën që kishte për t’i plotësuar dëshirën mamasë apo babait.

“Financa e para, e dyta mjekësia se mami është mjeke dhe dua tja bëj qejfin edhe asaj, që ti them e kapa, por unë dua financën”, shprehet maturanti.

TCH: Ester, cila është përzgjedhja jote e parë?

Maturantja: Unë kam zgjedhur pikturën si preferencë të parë sepse më pëlqen dizajni.

Plotësimi i formularit A2 përfundon në orën 21.00 të datës 4 gusht. Faza e radhës janë regjistrimet në degën ku janë shpallur fitues, ndërsa në vetëm 1 ditë, më 13 gusht do të bëhen çregjistrimet.

Top Channel