Vera e nxehtë, e thatë dhe përvëluese në Kaliforni ka bërë që më shumë se 12 mijë zjarrfikës të përballen me 17 vatra zjarri, që kanë zhuritur deri më tani mijëra hektarë tokë në vend, i kanë marrë jetën të paktën 8 personave dhe kanë shkatërruar më shumë se 1.000 struktura, shumica shtëpi.
Zjarrfikësit kanë punuar pa pushim për të vënë nën kontroll vatrat më të mëdha të zjarrit, ku më kërcënuesi është ai që njihet si zjarri “Carr” në kontenë Shasta.
Por, përmasat e këtij të fundit dhe nxehtësia e tij kanë bërë që ai të krijojë një sistem të vetin lokal të motit, me erëra të fuqishme, gjë që e bën të vështirë për ekspertët të parashikojnë se në cilin drejtim do të përhapet ai.
Të paktën 19 persona konsiderohen ende të zhdukur në kontenë Shasta, me 6 nga viktimat e regjistruara vetëm atje. Të hënën u raportua se zjarri ishte vënë nën kontroll në masën 20 për qind, por temperaturat e larta në Redding vazhdojnë.
Shërbimi Kombëtar i Motit tha se i nxehti përvëlues do të vazhdojë edhe gjatë kësaj jave, me kushtet që nuk do të bëjnë gjë tjetër, veçse do të përkeqësojnë edhe më shumë situatën.
Top Channel