Shkalla e parë e Vettingu-t i dha fund kuriozitetit se kush do të certifikohej si i ndershëm. Gjykata Supreme, nga 19 anëtarë që duhet të kishte, ka mbetur me 4 anëtarë, ndërsa pesë të tjerë u skualifikuan.

Medi Bici pati fatin t’i shpëtonte me sukses të treja sitave të Vettingut. Në përfundim të procesit ai dha këtë apel: “Ngelën 4 gjyqtarë në Gjykatën e Lartë, të gjitha çështjet me peshë, nga ky moment nuk zhvillohen. Të gjitha gjykimet administrative në gjyq, të gjitha gjykimet penale në gjyq dhe një pjesë e madhe e gjykimeve civile, përsëri në gjyq, të cilat janë zhvilluar me 3 gjyqtarë në shkallë të parë, nga ky moment nuk mund të zhvillohen. Gjykata e Lartë gjykon vetëm çështjet me treshe”.

Ndërkohë, gjyqtari i lartë Artan Broci nuk u konfirmua në detyrë nga KPK. Pavarësisht se në mungesë, ai i dërgoi një mesazh të gjitha mediave, ku e konsideron këtë proces si politik. Unë i kalova të tre komponentët e Vettingut, deklaron Artan Broci, por ngela në komponentin e nënshtrimit.

Gjatë Vettingut ngeli edhe kryeprokurori i komanduar i Tiranës, Dritan Rreshka për shkak të pasurive. Por KPK lexoi më herët vetëm raportin e ILDKPI dhe nuk mori për bazë provat e ish-ekspertit të reformës në drejtësi, i cili thotë se të ardhurat i ka siguruar gjatë kohës që ishte emigrant në Greqi. Ajo që dihet është se Dritan Rreshka ka hetuar zyrtare të ILDKPI kur ishte tek Krimet e Rënda dhe pyetja që do përgjigje është a është kjo një hakmarrje e ILDKPI?

Edhe garuesi për në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, Artur Malaj ju nënshtrua Vettingut. Ndaj tij, DSIK hedh dyshime për lidhje të papërshtatshme, por këto u konsideruar të paprovuara.

“Raporti ishte dashakeq”, tha ai.

I fundit që mbylli odisenë e seancave publike ishte Gentiaj Osmani, prokuror i Krimeve të Rënda. Edhe atij i dolën probleme me pasuritë, veçanërisht me një hua që nuk justifikohej.

“Jam besimplotë në vendimmarrjen e komisionit”, tha Gentian Osmani.

Top Channel