Këtë vit, në Spanjë kanë hyrë më shumë se 21 mijë emigrantë nga Afrika, shumë më tepër sesa në Itali apo Greqi.
Organizata Botërore e Emigracionit (IOM) njofton se Spanja është kthyer në destinacionin kryesor të emigrantëve të paligjshëm.
Ditët e fundit (të premten dhe të shtunën e kaluar), spanjollët në ndihmë të emigrantëve ndihmuan më shumë se 12 mijë afrikanë që erdhën me varka. Siç raporton Oliver Neuroth, Qeveria e Madridit e ka bërë të qartë se autoritetet vendase nuk janë të përgatitura për këtë ardhje refugjatësh.
Rreth 700 emigrantë zbresin çdo ditë në tokë. Në pjesën më të madhe të rasteve, anijet spanjolle të shpëtimit i ndalojnë varkat disa kilometra larg bregdetit dhe i marrin refugjatët në bordet e tyre. Nga qeveria në qendër thuhet se situata ndodhet nën kontroll, prandaj duhen investuar 30 milionë euro për ndihmën e menjëhershme ndaj refugjatëve.
“Nëse emigrantët do të vazhdojnë të vijnë kaq të shumtë si tani, atëherë qendrat tona të pranimit do të mbushen shpejt. Por, ne i fusim njerëzit edhe në salla sporti, ato nuk janë burgje. Sistemi ynë sigurisht që nuk është perfekt, s’ka dyshim, e neve na nevojiten më shumë kapacitete. Por, ne bëjmë pjesë te vendet që i trajtojnë mirë emigrantët”, thotë ministri i Jashtëm, Josep Borrell.
Shumë qeveri të mëparshme spanjolle dhe Bashkimi Europian janë munduar prej vitesh ta zgjidhin problemin e migracionit edhe me parà. Kështu, çdo vit BE-ja i paguan Marokut miliona euro, si shpërblim që autoritetet e atjeshme të bllokojnë emigrantët afrikanë që kanë marrë rrugën për në Europë.
Një sistem ky që ka funksionuar mirë vitet e mëparshme. Përfaqësuesja e qeverisë spanjolle në enklavën Ceuta, Salvadora Mateos, mendon se Maroku kërkon t’i jepen më shumë parà, prandaj ka lejuar ditët e fundit kaq shumë emigrantë që të vazhdojnë rrugën.
Vetëm ditën e enjte, 600 vetë erdhën në Ceuta.
“Qeveria spanjolle kërkon të ushtrojë më shumë presion mbi Bashkimin Europian, në mënyrë që Maroku të marrë më shumë mjete financiare për të ndaluar migrantët. Kjo, sepse sipas vlerësimeve, aktualisht rreth 50 mijë refugjatë afrikanë janë duke pritur për të hyrë në Spanjë, e kështu në Bashkimin Europian”.
Top Channel