Partia Komuniste në Kinë ka ndëshkuar rreth 37 mijë zyrtarë të saj deri më tani gjatë këtij viti, për shkelje të të ashtuquajturit “Kod i Kursimit”.
Të dhënat nga agjencia antikorrupsion tregojnë se, shkeljet më të shpeshta kanë qenë ato të dhënies së bonuseve të paautorizuara, këmbimit të dhuratave dhe shpërdorimit të automjeteve publike.
Që kur Xi Jinping u bë president i vendit 6 vite më parë, autoritetet kineze kanë miratuar një operacion gjithëpërfshirës me synimin gjasme për të çrrënjosur korrupsionin, por njëkohësisht ka shërbyer edhe me një objektiv tjetër, atë të largimit të rivalëve politikë dhe kuadrove të pabesë.
Në vitin 2012, partia publikoi një kod me 8 pika, që këshillonte zyrtarët të tregoheshin “kursimtarë” dhe t’u përmbaheshin rregullave mbi shpenzimet. Përpara fushatës, zyrtarët kinezë shfaqeshin rregullisht “online” me një stil jetese tepër bujar, pavarësisht pagave relativisht të ulëta nga postet qeveritare.
Agjencia antikorrupsion e partisë, Komisioni Qendror për Inspektimin Disiplinor publikon rregullisht të dhëna dhe detaje mbi zyrtarët, që nga ata të niveleve lokale e provinciale, te agjencitë qeveritare dhe deri te kompanitë shtetërore, të cilët kanë dështuar të respektojnë këtë kod kursimi.
Ndër shkeljet e tjera të veçuara nga agjencia përfshihen edhe drekat apo darkat e tepruara duke shfrytëzuar fondet qeveritare, miratimi i ndërtesave qeveritare të panevojshme, apo ceremonitë martesore apo funerale tepër bujare.
Top Channel