Presidenti Ilir Meta, me anë të një dekreti, ka rikthyer për rivotim në Kuvend ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Presidenti kërkon rishikimin e nenit 6 të këtij ligji, duke thënë në arsyetim se ndryshimet janë të paargumentuara dhe nga vlerësimi i tyre rezulton se, zbatimi i këtij neni do të sjell uljen e barrës fiskale dhe përfitim financiar vetëm në favor të bizneseve që operojnë në fushën e lojërave të fatit.

“1.Ndryshimet e realizuara në nenin 6, të ligjit nr. 39/2018, janë të pa argumentuara dhe nga vlerësimi i tyre rezulton se, zbatimi i këtij neni do të sjell uljen e barrës fiskale dhe përfitim financiar vetëm në favor të bizneseve që operojnë në fushën e lojrave të fatit, ndërkohë që ky nen nuk është në interes të publikut, si dhe efektet e pritshme në buxhetin e shtetit apo në ekonominë familjare janë negative.

2.Miratimi i nenit 6 të ligjit nr. 39/2018, është në kundërshtim me përmbushjen e objektivave social të shtetit shqiptar parashikuar në nenin 59 të Kushtetutës, bie ndesh me frymën e legjislacionit në fuqi në funksion të dekurajimit të aktivitetit të biznesit në industrinë e lojrave të fatit, si dhe krijon premisë për shtimin e fenomeneve negative që cënojnë familjen shqiptare.

Institucioni i Presidentit të Republikës, ka vlerësuar se aplikimi i barrës së lehtësuar fiskale ndaj operatorëve në fushën e lojrave të fatit, nuk është vlerësuar në mënyrë të thelluar nga qeveria dhe Kuvendi, përkundrejt dramave sociale dhe konflikteve në familje që janë shkaktuar në vijimësi nga pjesëmarrja në lojrat e fatit”.

Top Channel