Artur Malaj, gjyqtar i Apelit Administrativ Tiranë, ka dalë përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) paraditen e së martës. Artur Malaj është kandidat për në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, ndaj edhe iu nënshtrua me prioritet Vetting-ut.
Gjyqtari ka 1500 metra katrorë tokë në fshatin në Llakatund dhe shtëpi 106 metra katrorë në Tiranë, blerë për 55 mijë euro. Apartamenti është i blerë me kredi dhe të ardhurat e gruas. Malaj ka në pronësi edhe një garazh. Çmimi u ul sepse firma nuk e kishte përfunduar ndërtimin.
Subjekti nuk ka deklaruar kontratën e sipërmarrjes për apartamentin. Në dosjen e kredisë, çmimi është 63 mijë euro dhe jo 55 mijë euro, sikurse ka deklaruar ai. KPK-ja konstaton se gjyqtari Artur Malaj ka kryer deklarim të pasaktë për vlerën e këtij apartamenti.
Lidhur me figurën, DSIK thotë se Artur Malaj ka plotësuar saktë dhe me vërtetësi formularin. Por në përfundim, DSIK thotë se Malaj është i papërshtatshëm. Ai dyshohet për përfshirje në akte korruptive dhe ka kontakte të papërshtatshme me personazhe të krimit të organizuar. Pas kërkesës së komisionit, DSIK solli raport shtesë, duke përditësuar të dhënat. Rezulton se Malaj ka favorizuar palët në procese kundrejt rryshfetit. Jepen gjithashtu të dhëna për përfshirje të subjektit në korrupsion kur ishte kryetar i Gjykatës së Vlorë, por KPK-ja thotë që raporti është i paplotë dhe i pabazuar.
Top Channel