Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi dje pasdite një bashkëbisedim me të rinjtë e FRESSH-it në kampingun e Jalës, ku u dha përgjigje disa pyetjeve me interes rreth projekteve transformuese të Tiranës, si dhe angazhimit të të rinjve në politikë. Duke u ndalur tek çështja e Teatrit Kombëtar, kryebashkiaku siguroi se pavarësisht vonesës së vogël, puna për ndërtimin e tij nuk do të ndalet.

“Në fillim patëm një histeri kolektive, kurse aktorët që punojnë aty ishin të shqetësuar. Presidenti i Republikës bëri një thirrje dhe tha: ‘Kryetari i Bashkisë të gjejë gjuhën me aktorët, që ne të ecim përpara’! Bëmë një takim me aktorët, një me urbanistët, një me arkitektët, një me të gjithë së bashku. U treguam projektin, në fund aktorët u bindën; pra ata që ishin grupi legjitim, që ka vetë interes, u bind. Pasi u bindën aktorët, politika e mbrapshtë, që nuk do që t’i shkojë asgjë mbarë Shqipërisë, tha: ‘Ou, na u prish plani, tani o burra ta marrim vetë kontrollin e kësaj dhe me ç’na ka ngelur nga ata të lodrave, ç’a kemi portale, hajde ta sabotojmë me çdo kusht! Projekti u sabotua vetëm për 40 ditë. Në shtator do të futemi në fazën e tretë, ku politika e mbrapshtë do të mundet sërish me votat që populli shqiptar i ka dhënë Tiranës dhe Shqipërisë për ndryshim”, tha Veliaj.

Ai renditi edhe një sërë nismash të mëparshme, të cilat në fillim hasën rezistencë, por në përfundim rezultuan të suksesshme dhe u vlerësuan. Veliaj theksoi se përkundër shumë politikanëve që me sjelljet e tyre ushqejnë sherrin, detyra jonë është të ushqejmë punën, dashurinë për vendin dhe për njëri-tjetrin. “Filmi është i njëjtë, nuk ndryshon. Fillimisht ka kundërshtim, pastaj shumë energji për të shpjeguar vizionin, përqafim të vizionit nga ata që e kuptojnë se duam të sjellim ndryshim dhe refuzim nga ata që nuk duan të shohin jo vetëm ju një ditë të bardhë, por as vendi, sepse po pati vendi paqe, s’ka punë për ta. Për ata ka punë vetëm nëse vendi ka krizë dhe sherr. Ndaj, ka shumë politikanë që me sjelljet e tyre ushqejnë sherrin, ndërkohë detyra jonë është të ushqejmë punën, dashurinë për vendin dhe për njeri-tjetrin. Kjo është motoja jonë dhe ndaj do fitojmë”, tha ai, teksa shtoi se janë jo të pakta rastet kur partitë politike që nuk duan ndryshimin e marrin vetë pronësinë e protestës.

Kryebashkiaku tha se botën e ndryshojnë vetëm ata që zbresin në arenë dhe se PS do të zbresë në arenë në Tiranë për të fituar dhe për të treguar se çfarë mund të bëjë akoma më shumë se sa është bërë deri më sot. “Botën e ndryshon vetëm kush zbret në arenë, një gladiator që shkon e përleshet, një futbollist që shkon të bëjë gol, një atlet që mundohet të thyejë rekordin, dikush që thotë: Do kandidoj unë për Kryetar Bashkie, për kryeministër, për deputet, për anëtar të Këshillit Bashkiak dhe do marr përsipër ta zgjidh këtë punë për komunitetin, këta njerëz e ndryshojnë botën. Arena mund të jenë zgjedhjet e ardhshme. Do të zbresim në arenë në Tiranë për të fituar dhe për t’ju treguar se çfarë mund të bëjmë edhe më shumë nga çfarë kemi bërë sot”, tha Veliaj.

Top Channel