Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) vendosi shkarkimin e gjyqtarit të lartë, Shkëlzen Selimi.

KPK kishte rrëzuar më parë kërkesën e bërë para nisjes së seancës dëgjimore nga anëtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, për pezullim të saj, duke e lidhur kërkesën e tij me dosjen e publikuar nga Top Channel. Të dhëna të cilat Selimi i cilësoi si sensitive, por pa i mohuar ato. Por KPK, jo vetëm që rrëzoi kërkesën e gjyqtarit, por radhiti edhe një sërë kontaktesh të papërshtatshme të Selimit me botën e krimit.

Duke sjellë si argument publikimin e një kronike në Top Channel, pa nisur ende ekspozimi i gjetjeve të KPK, Shkëlzen Selimi kërkoi pezullimin e procesit ndaj tij.
Si shkak solli nxjerrjen e sekretit konfidencial të hetimit të vettingut dhe qe bazuar në këtë arsye ai njoftoi se do të kërkojë hetimin disiplinor.

Materiali të cilin Selimi e cilësoi sensitiv është dokumenti që publikoi Top Channel se gjyqtari ishte përgjuar nga SHISH ndërsa kishte kontakte të ngushta me anëtare të rrjeteve kriminale në Fier.

Kanë kaluar provën e Vetting-ut gjyqtarët e lartë Xhezair Zaganjori, Edmond Islamaj dhe Ardian Dvorani. Kanë ngelur në vetting gjyqtarët e lartë Admir Thanza, Artan Zeneli dhe Tom Ndreca.

Top Channel