Sipas Partisë Demokratike, organet e Vetting-ut po aplikojnë standarde të dyfishta në procesin e rivlerësimit dhe po konfirmojnë në detyrë gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, sipas porosisë politike të Edi Ramës.

Në një konferencë për shtyp, Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhi thanë se “një nga 12 komisonerët e vetting-ut, jo vetëm nuk përmbush kriteret ligjore për ushtrimin e detyrës, por rezulton të jetë përfshirë në veprime të ulëta, siç është falsifikimi i dokumenteve që ka depozituar gjatë aplikimit”.

“Sipas nenit 6 të ligjit për vetting-un, kandidati për komisioner duhet të përmbushë edhe kriterin e zotërimit shumë mirë të gjuhës angleze. Ky është një kriter ligjor, pa të cilin një person nuk mund të zgjidhet në pozicionin e komisionerit të vetting-ut. Anëtari i vetting-ut, Lulzim Hamitaj rezulton që në vitin 2016 ka aplikuar për pedagog pranë Univeristetit Europian të Tiranës, ku ka deklaruar se zotëron nivelin fillestar B1 të gjuhës angleze. Ndërkohë, një vit më vonë, në vitin 2017, kur aplikon për pozicionin e komisionerit të vetting-ut, Lulzim Hamitaj depoziton një çertifikatë të zotërimit të gjuhës angleze në nivelin më të përparuar, C1, të lëshuar në vitin 2015 nga Qendra e Gjuhëve të Huaja Tiranë. Kjo provohet nga dokumentat e dosjes së tij, e marrë prej nesh në rrugë zyrtare nga Kuvendi. Partia Demokratike pyet sot, atë që do të pyeste çdo shqiptar: Nëse në vitin 2015 Lulzim Hamitaj do të ishte i pajisur me çertifikatë që provon se zotëron nivelin e përparuar C1, atëherë pse në aplikimin e vitit 2016, deklaron se zotëron anglishten në nivelin fillestar B1? Qytetarët kanë të drejtë të mësojnë përgjigjen e kësaj pyetje”, u shpreh Alibeaj.

Gjithashtu, sipas PD-së, certifikata e dorëzuar gjatë aplikimit për në organet e vetting-ut, mban datën 6 Prill 2015, por, nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS, rezulton se shtetasi Lulzim Hamitaj në këtë datë, kur pretendon se ka dhënë provimin dhe është pajisur me çertifikatë të zotërimit të gjuhës angleze, nuk ka qenë fare në Shqipëri.

Alibeaj theksoi se “pajisja e individëve me certifikata të falsifikuara ka qenë pjesë e një investigimi të realizuar nga emisioni Fiks Fare, në datë 29 Shtator 2015, pas të cilit organi i prokurorisë nisi hetimet dhe qendra, ku anëtari i vetting-ut Lulzim Hamitaj ka marrw ceritifikatën e gjuhës angleze, u mbyll”.

Top Channel