Qeveria konservatore e Australisë nuk arriti të fitojë në asnjë nga pesë zonat ku u mbajtën zgjedhje të parakohshme këtë fundjavë.
Rezultati i të shtunës ishte tronditës për kryeministrin Malcolm Turnbull, i cili do të kërkojë një konfirmim në detyrë, në zgjedhjet që do të mbahen në maj të 2019-ës.
“Ne do të shohim me shumë kujdes dhe përulësi, mënyrën se si qytetarët kanë votuar në këtë raund të parakohshëm”, tha Turnbull para mediave, të dielën në mëngjes.
Zgjedhjet e parakohshme u mbajtën në atë që u quajt “Super e Shtuna”, pasi disa nga ligjvënësit e partisë opozitare të Punës, u detyruan të linin mandatet, pasi ishin në papërputhshmëri me kushtetutën e vendit.
Në Australi nuk lejohet që deputetët të kenë dyshtetësi dhe ligjvënësit që lanë mandatet, nuk plotësonin këtë kusht.
Në zgjedhjet e parakohshme, 4 mandate u mbajtën sërish nga partia e Punës, ndërsa një i pestë u fitua nga Aleanca e Qendrës, një parti e vogël në Australi.
Analistët parashikojnë se ky dështim do të nxisë kryeministrin Turnbull të vijojë lobimin për miratimin e ligjit, për qeverisje nga shumica e thjeshtë e vendit.
Top Channel