Tragjedia “Pirro” ngjitet në skenën e teatrit antik të Adrianopolit

29/07/2018 18:40

Në rrënojat e teatrit antik të Adrianopolit, në qendër të luginës së Drinos, tragjedia “Pirro”, një prej pjesëve më të arrira që teatri profesionist i Gjirokastrës ka vënë në skenë, solli emocione të veçanta për publikun.

Shfaqja në skenën e teatrit antik ishte një homazh për arkeologun Vladimir Qirjaqi, një studiues që punoi gjatë për sitin dhe promovimin e tij dhe që është ndarë nga jeta pak vite më parë.

Misionet arkeologjike shqiptaro-italiane të dy dekadave të fundit, kanë nxjerrë në dritë të dhëna të rëndësishme për sitin, kanë qartësuar funksionin e këtij qyteti antik dhe kanë përpunuar e vlerësuar qindra objekte të jetës së përditshme në qeramikë, metale dhe qelq.

Për ta kthyer këtë sit në një atraksion turistik, bashkia e Dropullit planifikon një radhë aktivitetesh kulturore në skenën antike.

Konsulli italian i Nderit në Gjirokastër, Teodor Bilushi tha se disa koncerte janë planifikuar në këtë teatër gjatë verës dhe se mbështetja për këtë sit është me rëndësi të veçantë, pasi mund të çojë përpara gërmimet dhe gjetjet nga qyteti i perandorit Adrian.

Tragjedia “Pirro” u ndoq nga shumë banorë të zonës dhe vizitorë shqiptarë e të huaj. Vite më parë, në këtë Teatër antik janë shfaqur tragjedia “Bakantët ” e Euripidit si dhe baleti ” Në Gjurmët e Adrianit “.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA