Afganistan, sulmohet qendra e trajnimit të mamive; 3 viktima

28/07/2018 18:33

Militantët kanë sulmuar një qendër trajnimi të mamive në Afganistan, duke vrarë dy roje dhe një shofer dhe duke plagosur 8 persona të tjerë.

Sulmuesit vendosën eksplozivë dhe qëlluan me armë zjarri në qendrën e Xhalalabadit, në provincën Nangarhar. Forcat afgane të sigurisë rimorën kontrollin pas një përleshjeje me armë që zgjati 6 orë.

Asnjë grup nuk ka marrë ende autorësinë e sulmit, edhe pse militantët e Shtetit Islamik kanë kryer disa sulme kohët e fundit në këtë krahinë.

Sulmi filloi rreth orës 11:30 në orën lokale dhe përfundoi rreth orës 18:00.

“Sulmuesit vendosën pajisje eksplozive në rrugë pranë kompleksit”, tha një dëshmitar okular për AFP-në.

Zyrtarët thanë për BBC se një nga sulmuesit vdiq pasi shpërtheu pajisjen në jelekun e tij, ndërsa tjetri u vra nga forcat e sigurisë.

Gjithsej, 61 mami dhe dy fëmijë u shpëtuan nga kompleksi. Megjithatë, dy roje dhe një shofer u vranë, ndërsa 3 anëtarë të forcave të sigurisë, 3 civilë dhe dy punonjës të qendrës u lënduan.

Qendra e sulmuar ofron kurse trajnimi 2-vjeçare për gratë. Nuk dihet arsyeja pse qendra e trajnimit të mamive ishte në shënjestër.

Militantët shpesh zgjedhin ndërtesat zyrtare dhe objektet mjekësore për sulmet e tyre dhe shumë afganë kundërshtojnë gratë e pamartuara që punojnë jashtë shtëpive të tyre.

Më shumë se 50% e lindjeve në Afganistan zhvillohen pa një mami të trajnuar.

Top Channel