Shkëlzen Selimi, i lidhur me krimin; ONM: Ndihmoi Arben Isufajn mos ekstradohej në Itali

27/07/2018 11:58

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka rrëzuar kërkesën e bëra para nisjes së seancës dëgjimore nga anëtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, për pezullim të saj, duke e lidhur kërkesën e tij me dosjen e publikuar një ditë më parë nga Top Channel. Të dhëna të cilat Selimi i cilësoi si sensitive, por pa i mohuar ato. Por KPK, jo vetëm që rrëzoi kërkesën e gjyqtarit, por radhiti edhe një sërë kontaktesh të papërshtatshme të Selimit me botën e krimit.

Duke sjellë si argument publikimin e një kronike në Top Channel, pa nisur ende ekspozimi i gjetjeve të KPK, Shkëlzen Selimi kërkoi pezullimin e procesit ndaj tij.

Si shkak solli nxjerrjen e sekretit konfidencial të hetimit të vettingut dhe qe bazuar në këtë arsye ai njoftoi se do të kërkojë hetimin disiplinor.

Materiali të cilin Selimi e cilësoi sensitiv është dokumenti që publikoi Top Channel se gjyqtari ishte përgjuar nga SHISH ndërsa kishte kontakte të ngushta me anëtare të rrjeteve kriminale në Fier.

“Përmes komunikimit publik më është bërë me dije përbërja e trupës gjyqësore. Dhe unë kam shprehur konsideratën për të tre anëtarët. Por nisur nga faktet që kanë ndodhur rishtaz dua të nisë hetimi disiplinor ndaj trupës sepse në Top Channel dje është transmetuar një kronike ekskluzive ku jep te dhëna sensitive. Unë kërkoj pezullimin e seancës dëgjimore sepse do i kërkoj ONM të nisë procedurë disiplinore sepse janë përdorur të dhëna konfidenciale”, u shpreh Selimi para trupës së KPK.

Material të cilin ai nuk e mohoi. Kërkesa e Selimit u rrëzua nga KPK dhe në këto kushte gjyqtari i lartë braktisi seancën.

KPK e bazoi hetimin administrativ vetëm në një komponent që është përshtatshme e figurës. DSIK ka relatuar papërshtashmëri të gjyqtarit për dyshimet se ai ka kontaktuar me njerëz të krimit të organizuar dhe për pasojë është i ndikueshëm nga këta elementë.

Gjetja e vëzhguesit ndërkombëtar të ONM ka zbuluar se gjyqtari Selimi ka kontakt të drejtpërdrejtë me A.I, për të cilin gjyqtari ka ndërhyrë në vitin 2015 për të ndaluar ekstradimin e tij në Itali. Ky shtetas sipas zbulimeve të ONM rezulton i dënuar për grup kriminal dhe trafik kokaine.

Megjithëse nuk iu përmend emri Top Channel zbuloi se personi në fjalë është Arben Isufaj, i njohur ndryshe me nofkën Ben Qimja. Episodi tjetër i lidhjeve të dyshimta është zbuluar nga DSIK, nga ku rezulton se ka kontakte me Ferro Dervishin, një i dënuar për armëmbajtje dhe aktualisht nën hetim për çështje narkotike.

KPK tha se selimi nuk e ka deklaruar këtë njohje në formular dhe se ka udhëtuar me makinën e tij jashtë Shqipërisë. Shkëlzen Selimi është rasti i rrallë për të cilin vettingu nuk hyri fare te çështja e pasurisë së krijuar prej tij, por direkt te çështjet e cenimit të figurës së gjyqtarit dhe lidhjeve te tij me botën e krimit.

Të dhëna që të gjitha institucionet shtetërore ndër vite i kanë patur, por për shumë arsye gjyqtari është lejuar të vijoje karrierën e tij në gjykatat më të larta të vendit ku është zgjedhur edhe me votat e deputetëve, të cilët e kanë njohur mirë lidhjen e gjyqtarit me rrjetet kriminale.

Për më tepër lexoni:
EKSKLUZIVE/ Përgjimi i gjyqtarit Selimi, SHISH: Ndihmoi të arrestuarin të lirohej nga burgu

Top Channel