Ish-avokati i presidentit Donald Trump thotë se klienti i tij ishte në dijeni që më herët për një takim të qershorit 2016, mes ndihmësve të tij dhe një delegacioni rus, që u ofrua të ndihmonte fushatën e tij.

Sipas mediave amerikane, Cohen thotë se ai ishte i pranishëm kur djali i madh i Trump, Donald Junior, informoi të atin për takimin. Kohen është i gatshëm që këtë t’ia deklarojë hetuesit të posaçëm për përzierjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane.

Vetë Trump ka mohuar të kishte dijeni për takimin deri një vit më vonë. Në takimin në kullën Trump në qytetin e Nju Jorkut, merrte pjesë djali i Trump, dhëndri i tij, drejtuesi i atëhershëm i fushatës Paul Manafort dhe një avokate me ndikim në rusi, Natalia Veselnitskaya. Takimi u zhvillua pasi një ndërmjetës rus kontaktoi me Trump junior me premtimin se do ti siguronte materiale që do të inkriminonin Hillari Klintonin, kandidaten demokrate në zgjedhjet presidenciale të 2016.

Sipas CNN dhe NBC, Cohen nuk ka regjistrime audio që të mbështesë rrëfimin e tij por është i gatshëm të dëshmojë si pjesë e hetimit në vazhdim për ndërhyrjen ruse në zgjedhje. Cohen po shndërrohet tani në një kundërshtar të rrezikshëm për presidentin amerikan. Dhe kjo ka detyruar avokatin e ri të Trump, Rudy Giuliani, të ndërmarrë një sulm të ashpër ndaj Cohen, duke e përshkruar madje atë edhe një gënjeshtar patologjik. Deri pak kohë më parë, Cohen thoshte se ishte i gatshëm edhe të merrte një plumb për presidentin ndërkohë që tani duket se ka drejtuar një armë mbi kokën e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA