Sulmi me gaz sarin në Japoni, ekzekutohen autorët pas 23 vitesh

27/07/2018 08:14

Japonia ka ekzekutuar anëtarët e mbetur të kultit që qëndron pas sulmit vdekjeprurës me gaz sarin në metronë e Tokios, në vitin 1995. Gjashtë persona ishin anëtarët e fundit të kultit Aum Shinrikjo, në pritje të dënimit me vdekje dhe u ekzekutuan të enjten.

Shtatë persona të tjerë përgjegjës për sulmin, përfshirë liderin e kultit Shoko Asahara, u ekzekutuan më herët këtë muaj. Sulmi me gaz sarin, incidenti terrorist më i rëndë në Japoni, i mori jetën 13 personave dhe lëndoi mijëra të tjerë. Kulti u akuzua për disa vrasje të tjera dhe një sulm të mëparshëm me gaz sarin në 1994, në të cilin kishin humbur jetën 8 persona dhe ishin lënduar 600 të tjerë.

Mes të ekzekutuarve të së enjtes ishin rekrutë dhe anëtarë të kultit, që e kishin përhapur gazin sarin në vagonët e metrosë. Ekzekutimi i të 12 pjesëtarëve të kultit të përfshirë në sulm, si edhe i liderit të tij, ishte shtyrë deri sa apelet e fundit përfunduan.

Më 20 mars 1995, anëtarët e kultit çliruan gazin sarin në metronë e kryeqytetit japonez. Gazi toksik goditi viktimat në çështje sekondash, duke bërë që disa të mbyteshin dhe të tjerë të verboheshin apo paralizoheshin. 13 vetë humbën jetën.

Drejtuesi i kultit besonte se fundi i botës po vinte dhe ata që nuk ishin pjesë e sektit do të shkonin në ferr nëse nuk vriteshin prej vetë anëtarëve. Në muajt në vijim, pjesëtarë të tjerë të kultit bënë disa përpjekje të dështuara për të derdhur cianid hidrogjeni në disa stacione metroje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA