Pensionistët do të marrin nga 5 mijë lekë shpërblim për festat e fundvitit. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të qeverisë, kur u ndryshua buxheti i shtetit.
Në aktin normativ që ndryshon buxhetin e vitit 2018, qeveria ka akorduar një fond të posaçëm 3 miliardë lekë ose rreth 28 milionë dollarë që do të përdoret si shpërblim për pensionistët, çka nuk ishte parashikuar në buxhetin e miratuar në fillim të vitit.
Veç fondit për pensionistët, ndryshimi i dytë më i rëndësishëm i buxhetit është ai që rishpërndan paratë për investimet publike. Përmes aktit normativ, qeveria heq 20 milionë dollarë nga investimet me ecuri të ngadaltë duke ja transferuar këto fonde projekteve që kanë realizim më të shpejtë.
Sipas tabelave të aktit normativ, për vitin 2018, investimet publike arrijnë në 86.7 miliardë lekë me një rritje prej 300 milionë lekësh krahasuar me buxhetin e fillim vitit. Paratë shtesë për investime vijnë nga kursimet, kryesisht tek interesat e borxhit.
Në krahun e të ardhurave, ndryshe nga sa u përfol, qeveria vendosi të mos e shkurtojë buxhetin. Në aktin normativ të ardhurat totale në buxhet ruhen në masën 464.2 miliardë lekë, po aq sa ishin në buxhetin e miratuar në fillim të vitit, edhe pse brenda zërave të tyre ka rishpërndarje.
Kështu të ardhurat tatimore janë ulur me 4.5 miliardë lekë krahasuar me fillimin e vitit. Por kjo ulje është kompensuar në të njëjtën masë nga rritja e të ardhurave që vijnë nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe ato shëndetësore. Rrjedhimisht parametrat kryesorë të buxhetit ruhen të pandryshuar. Këtu përfshihen jo vetëm të ardhurat, por edhe shpenzimet dhe huamarrja që mbeten në të njëjtat shifra si buxheti fillestar
Top Channel