Koreja e Veriut ka kthyer eshtrat e atyre që besohet se janë trupa amerikanë të vrarë gjatë luftës mes koreve, lëvizja më e fundit kjo në kuadër të frymës së re në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Penianit.
Trupat bënë roje nderi ndërsa avioni me eshtrat e ushtarëve amerikanë u ul në tokë në një bazë amerikane në Korenë e Jugut. Të afërmit kanë pritur prej vitesh të marrin eshtrat e të dashurve të tyre.
Për këtë lëvizje thuhet se është rënë dakord të qershor, në takimin mes presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un.
Kthimi i eshtrave, duket se ka qenë një nga katër pikat e përmendura në deklaratën e takimit dhe vjen në përvjetorin e 65 të nënshkrimit të armëpushimit që i dha fund luftës koreane të viteve 1950-1953. Besohet se janë kthyer eshtrat e 55 ushtarëve amerikanë, por sidoqoftë duhen pritur rezultatet e mjekësisë ligjore për të përcaktuar identitetet e tyre, proces ky që mund të marrë vite të tëra.
Më shumë se 326 mijë amerikanë luftuan përkrah ushtarëve nga Koreja e Jugut dhe një koalicion i Kombeve të Bashkuara gjatë luftës, për të mbrojtur jugun nga veriu komunist. Janë me mijëra ushtarakët amerikanë që mungojnë në apel nga lufta mes koreve, dhe pjesa më e madhe e tyre, rreth 5300, u zhdukën në atë që sot është Koreja e Veriut.
Top Channel