Një grup përfaqësuesish të shqiptareve të Amerikës i shprehën përmes një letre Donald Trumpit shqetësimin e thellë rreth një përkeqësimi të mundshëm të marrëdhënieve mes SHBA-se dhe aleateve europiane.
Letra, e nënshkruar nga anëtari i Këshillit të Qytetit të Nju Jorkut, Mark Gjonaj dhe përfaqësues të 10 organizatave shqiptaro-amerikane, i referohet komenteve të bëra nga Trump në Fox News, ku shefi i Shtëpisë së Bardhë vuri në pikëpyetje nëse SHBA do t’i përmbaheshin nenit 5 të Traktatit të NATO-s për mbrojtjen e ndërsjellët e ku u përmenden Mali i Zi dhe Shqipëria.
Në letër thuhet se përgjigja e kreut të administratës amerikane në atë interviste dëshmon një moskuptim thelbësor të historisë së rajonit dhe të rolit te paçmueshëm të Amerikës në ruajtjen e paqes.
“Nëse flet me një shqiptar, në Amerikë apo jashtë saj, – theksohet ne leter, – do të vesh re një ndjenjë të thellë dashurie dhe respekti për Shtetet e Bashkuara dhe kuptimin që ka patur roli i tyre si udhëheqëse e botës së lire. Marrëveshja për mbrojtjen kolektive, – thuhet më tej, – ka bërë që bota të mos gjendet në prag të një lufte tjetër botërore”.
Grupi shpreh keqardhje që komentet për NATO-n dhe për njerëzit “shumë agresivë” të Malit të Zi e venë në pikëpyetje udhëheqjen morale të Amerikës, në një kohe kur, siç thuhet aty, globi ka më shumë se kurrë nevojë për të. Çështja e këtyre komenteve u shfaq përsëri të mërkurën gjatë seancës së Komisionit të Senatit për Marrëdheniet me Jashtë me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, i cili nuk u vuri rëndësi fjalëve të thëna në interviste, por tha se politika e Trumpit ka qenë e qartë jashtë çdo dyshimi.
Biseda Carlson-Trump në Fox News (17 korrik 2018)
CARLSON: Përse duhet që djali im të shkojë në Mal të Zi për ta mbrojtur atë nga sulmi? Përse të jetë kështu?
TRUMP: E kuptoj çfarë po thoni. Unë kam shtruar të njëjtën pyetje. Mali i Zi është një vend i vogël me njerëz shumë të fortë.
CARLSON: Po. Unë nuk jam kundër Malit të Zi, ose Shqipërisë.
TRUMP: Jo, por meqë ra fjala, ata janë njerëz shumë të fortë. Ata kanë njerëz shumë agresivë. Ata mund të bëhen agresivë dhe… urime jemi pastaj në Luftën e Tretë Botërore. Unë e kuptoj këtë, por kështu janë ndërtuar gjërat.
Top Channel