Hapësira informative në Top Channel po u dedikohet në mënyrë të vazhdueshme problemeve sociale dhe ekonomike të shqiptarëve dhe gjithnjë e më pak politikës. E mërkura ishte dita kur në edicionin e lajmeve nuk pati kronika për politikën e ditës nga Partia Demokratike sikundër as nga qeveria, me përjashtim të ndihmës së saj për tragjedinë në Greqi.
Por Partia Demokratike e konsideroi këtë censurë të plotë të opozitës dhe akuzoi televizionin kombëtar Top Channel për “linjë editoriale në kundërshtim me parimet kryesore të gazetarisë për informimin e pavarur të publikut”.
PD thotë se frekuenca kombëtare është pronë publike dhe “Ligji e detyron Top Channel dhe çdo televizion tjetër të transmetojë lajmet me vërtetësi dhe të sigurojë që trajtimi i çështjeve me interes publik të jetë i drejtë për subjektet e interesuara. Çështje me interes publik Partia Demokratike konsideron qëndrimin e saj për klimën armiqësore ndaj biznesit, akuzat e saj ndaj kryeministrit Rama për zhbërje të reformës në drejtësi apo për kthimin e Vettingut në proces politik që konfirmon, siç akuzon PD, gjyqtarë të korruptuar dhe në shërbim të Edi Ramës, duke e konsideruar të tillë Ardian Dvoranin.
PD u kërkoi ndërkombëtarëve të shënojnë si rast censure ndaj opozitës dhe duke akuzuar Top Channel se u shërben interesave personale të drejtuesve të saj dhe të qeverisë, u bëri thirrje qytetarëve ta bojkotojnë këtë televizion.
Qëndrimet e Partisë Demokratike kundër një televizioni si Top Channel janë një histori e vjetër. Dikur është synuar edhe mbyllja e kësaj media, që qysh nga dita e parë ka denoncuar abuzimin me pushtetin, korrupsionin dhe paligjshmërinë.
Ne sot vendosëm të lexojmë në publik deklaratën e çuditshme të Partisë Demokratike, jo sepse kemi ndonjë detyrim ndaj saj, por për t’i treguar publikut se deri ku shkon marrëzia. Në tre muajt e fundit, PD-ja ka bërë më shumë deklarata kundër Top Channel sesa kundër helmeve në bujqësi, ushqimeve të skaduara, insekticideve vrasëse apo mungesës së ilaçeve, çështje me të cilat ne merremi çdo ditë, duke shfrytëzuar në favor të publikut kohën televizive që na kërkon PD-ja.
Por, Partia Demoratike na kërkon që të kthejmë në lajm ato që ne nuk i konsiderojmë lajm dhe kjo është njëlloj sikur Top Channel t’i kërkonte PD-së se kush duhet të jetë deputet i saj. Top Channel nuk ka asnjë detyrim moral, ligjor dhe natyrisht asnjë borxh ndaj PD-së dhe nuk do të pranojë kurrë që mediokritetin t’ia shesë publikut si lajm.
Në të gjitha betejat, denoncimet e panumërta kundër të gjitha qeverive dhe partive në të gjitha kohërat, Top Channel nuk ka kërkuar kurrë ndihmën e ndonjë partie, kështu që Partia Demokratike duhet të respektojë këtë parim reciprociteti që do të ishte i shëndetshëm edhe për atë vetë.
Me këtë rast duam t’i bëjmë të gjithëve të ditur se ekrani i Top Channel do të jetë i mbyllur për të gjitha aktivitetet e mërzitshme dhe përsëritëse të cilat asnjë ligj nuk na detyron që t’i transmetojmë, duke i prishur shijen publikut.
Ne mund ta ndihmojmë PD-në për të prodhuar një lajm, por mungesën e lajmit nuk do ta kthejmë më në lajm.
Top Channel