Të dënuarit me masë mjekësore “mjekim i detyruar”, të cilët aktualisht ndodhen në burgun e Zaharisë në Krujë si dhe në Spitalin e Burgut në Tiranë, do të transferohen në burgun e Lezhës, ku dy godina të këtij institucioni do të rikonstruktohen dhe do të përshtaten me të gjitha kushtet e nevojshme mjekësore për trajtimin e kësaj kategorie të dënuarish.
Skema e re, që do të zgjidhë një problem të hershëm dhe shumë të rënduar për rreth 250 të dënuar, është prezantuar sot gjatë një tryeze të përbashkët midis Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, gjyqtarëve, avokatëve si dhe shoqërisë civile.
Zgjidhja e problemit të të dënuarve me masa mjekësore ka qenë një nga rekomandimet kryesore të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT), por edhe në fokusin e organizatave brenda vendit që monitorojnë situatën në burgje.
Bëhet fjalë për persona të cilët janë konsideruar nga gjykata si të sëmurë mendorë dhe që me vendim nuk duhet të mbahen në burgje të zakonshme, por në në mjedise të veçanta spitalore, ku t’i nënshtrohen trajtimit mjekësor.
Duke marrë fjalën në këtë tryezë Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tha se zgjidhja e kësaj problematike ka qenë një nga prioritetet e punës së Ministrinë e Drejtësisë, e trajtuar në dy linja kryesore: Me masa afatmesme për përmirësimin e trajtimit të kushteve aktuale në të cilat mbahen dhe trajtohen personat me masë mjekësore “mjekim i detyruar” dhe masa afatgjata, që lidhen me ndërtimin e një institucioni të specializuar, që do të administrohet nga Ministria e Shëndetësisë.
“Në kuadër të masave afatmesme, tashmë ne kemi nisur procesin për rikonstruksionin dhe adaptimin në mjedise spitalore të dy godinave të burgut të Lezhës, në mjedise të përshtatshme për vendosjen e të dënuarve me masë mjekësore “mjekim i detyruar”. Projekti parashikon që dy godinat, të cilat do të rikonstruktohen do të plotësojnë standardet e trajtimit të personave me masë mjekësore duke plotësuar kushtet e tyre si nga ana infrastrukturore ashtu edhe nga ana e trajtimit të tyre shëndetësor dhe social”, është shprehur ministrja Gjonaj.
Top Channel