Në Europë, një formë nacionalizmi ekskluzivist dhe nacionalist po na përçan vendin dhe po e bën jetën të vështirë për pakicat kombëtare nëpër kontinent.

Kwtw prill, presidenti francez, Emanuel Makron, paralajmëroi në Strasburg se po shihet  njw lloj lufte civile europiane midis demokracisë liberale dhe autoritarianizmit gjithnjë e në rritje. Makroni mund t’i jetë referuar rezultateve të fundit zgjedhore në Itali e Hungari, ku partitë e djathta erdhën në pushtet duke i mëshuar nacionalizmit.

Në Francë është një tjetër lloj nacionalizmi helmues që ka më shumë se 10 vite që tregon muskujt. Kjo ideologji e rrezikshme është ajo që po ushqen tani debatet publike, për se “çfarë do të thotë të jesh vërtet francez.”

Fitorja e Francës në botëror me një ekip të përbërë kryesisht nga lojtarë me ngjyrë dhe myslimanë, mund të jetë parë në të gjithë botën si arritja e një ideali për barazi midis racave, si zhvillim shoqëror. Por, në Francë, ky vizion është duke u kundërshtuar së tepërmi.

Një sondazh i fundit tregoi se 51% e francezëve mendojnë se drejtuesja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, përfaqëson një parti nacionaliste dhe ksenofobike. 73% mendojnë se ajo s’do të ishte presidente e mirë. Por e vërteta është që pikëpamjet e Le Penit janë përhapur aq shumë në debatet publike, sa mendimi i saj ingushtë, ai i përkatësisë dhe identitetit kombëtar, tani po i jep trajtë nacionalizmit që shihet gjithnjë e më shumë mes popullit në një vend që ka kohë që krenohet me idealet e barazisë.

Duket qartë se si idetë e saj janë përvetësuar  nga partitë e mëdha, e madje janë përdorur nw fushata zgjedhore.

Debatet publike për identitetin kombëtar, që po zhvillohen tani kudo nëpër Francë, mbajnë vulën e saj.

Politikanët bëjnë thirrje që gratë myslimane të largohen nga plazhet ku dalin me “burkini”. Thonë që shamitw duhen ndaluar nw shkolla dhe përdorin laicitetin si gjethe fiku. Intelektualët publikë tani po mendojnë se është “avantgardë” të shkruajnë romane për marrjen e Francës nga myslimanët. Kjo është Franca e përditshme e normale e ditëve të sotme.

Në fakt, pavarësisht kundërshtimit që duket se i bëjnë Le Penit në mënyrë të drejtpërdrejtë, një sondazh i fundit tregon që shumica e francezëve i mbështesin idetë e Le Penit.

66% mendojnë se vlerat tradicionale nuk po mbrohen mjaftueshëm në Francë. 60% mendojnë se vendi ka shumë emigrantë, dhe 48% mendojnë se islami dhe myslimanët kanë më shumë të drejta se ç’u takon.

Pra, Makronit i duhej të jepte vizionin e një nacionalizmi francez që mund të krijonte kapital me atë që dukej se përfaqësonte ekipi francez. Më të mirët e “lagjeve të varfra”, përkatësi në fè dhe kombësi. Krenaria kulturore në trashëgiminë dhe kombin tënd. Arritje në sport dhe bamirësi. Historitë shumëdimensionale të ekipit dhe suksesi i tyre janë ilaçi i përkryer kundër kapjes që i ka bërë e djathta ekstreme identitetit francez.

Por ajo që dëgjuam, ishte vetëm një fjalë: “Merci”.

Përtej brohoritjeve dhe entuziazmit, pse mungoi një fjalim frymëzues nga Makroni për fëmjët Francës që kanë qenë të lënë pas dore, por që arritën të ngjitin majat, duke përfaqësuar identitetet e tyre të ndërthurura e duke i veshur me krenari franceze.

Fjalimi nuk ishte thjesht diçka e dëshiruar, por e nevojshme. Në një vend ku e djathta ekstreme është vendosur qartazi në hartën politike, duke vrapuar më fort se e majta dhe e djathta tradicionale, krijimi i një kolektivi të ri është detyrë morale e domosdoshme.

Shembull konkret se si Le Pen fiton pikë nga debatet publike për çështjen e saj përçarëse, është në vitin 2010, kur ekipi francez doli shpejt nga botërori në Afrikën e Jugut. Ajo e përshtati problemin sipas interesit të saj, duke thënë që lojtarët e ekipit francez kanë kombësi të tjera në zemra. Ku ishte përgjigjja ndaj këtij komenti, kur të njëjtët djem i sollën Francës kupën e botës?

Edhe pse shumica e francezëve mund të mos votojnë për partinë e Le Penit, idealet e saj politike kanë mbështetje të gjerë. Prandaj dhe ajo po e ndryshon imazhin e partisë, duke e quajtur tani “Bashkimi Kombëtar”, një nacionalizëm me nuanca pak më të buta, më bionde e më femërore.

Pas fitores së botërorit, Le Pen i dha urimet e saj Didier Deschamps-it, trajnerit të bardhë, dhe për lojtarët bëri vetëm një referencë të gjerë. Nuk përmendi as talentin e Mbapesë, djalin që vjen nga periferia e ashpër e Bondit, me prindër nga Kameruni dhe Algjeria. Ai u bë adoleshenti i parë që shënoi në një botëror, që nga koha e Pelesë, në vitin 1958. Dhe shpërblimin personal që mori nga fitorja e botërorit e dhuroi për bamirësi, për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Mbapeja është frymëzimi që i është dashur nacionalizmit francez. Ai është mishërimi i ëndrrës franceze, në shumë mënyra. Nëpërmjet tij, Makroni pati mundësinë të na shiste një vizion të ri, ku të gjithë ndanin të njëjtën përkatësi kombëtare. Por mbetëm vetëm me një zell nacionalist që vazhdon të ziejë, pa një politikan që ta kanalizojë apo ta orientojë siç duhet. Pa orientim, druaj se këto ethe debatesh kanë vetëm për t’ia shtuar flakët zjarrit që po shohim tani.

Në Francën e sotme nuk mjafton të shpresosh se kjo fitore mund t’i mbulojë krisjet e krijuara.

Sociologu francez, Edgar Morin, shkroi pas marrjes së kupës se fitorja e kombëtares franceze ishte një rast për të festuar Francën e bashkuar e shumë-kulturore. “Le t’i shijojmë këto çaste vëllazërie, që s’kanë për të zgjatur shumë”, shkroi ai.

S’mund të ketë vëllazëri të vërtetë derisa një politikan të ketë guximin të çojë përpara një ndjesi të re përkatësie kombëtare, ndjesi që të nderojë kontributet e të gjithëve që përbëjnë kombin. Deri atëherë, krenaria kombëtare e ngacmuar nga kjo fitore mund të dalë se është një autogol.

Myriam Francois, CNN

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA