Shqipëria, ndonëse renditet ndër vendet me risk të lartë për situata emergjente si nga përmbytjet në dimër, ashtu edhe nga zjarret në verë, strukturat përkatëse që duhet të parandalojnë dhe përballojnë këto situata lënë për të dëshiruar veçanërisht sa i takon infrastrukturës.
Situata e zjarreve verën e kaluar e vërtetoi këtë fakt. Aktualisht, Shqipëria ka 70 stacione zjarrfikëse me një në çdo bashki, me 1200 veta personel dhe një flotë automjetesh prej 135 copë. Krahasuar për numër popullsie dhe sipërfaqe shifrat janë optimiste. Por në realitet shfaqen probleme të tjera.
Një ndër problematikat kryesore të zjarrfikësve në raste e zjarreve në zonat urbane janë mungesa e hidrantëve, çka i detyron mjetë zjarrfikëse që të bëjnë disa ecejake për t’u rimbushur në ujë. Ndërsa sa i takon zjarreve në pyje problematika qëndron në faktin që Shqipëria ka një shërbim zjarrfikës urban dhe jo pyjor.
Ky fakt bën që mjetet zjarrfikëse të mos jenë efikase për të vënë nën kontroll flakët në zonat pyjore, pasi në momentin kur vijnë zjarrfikëset zjarri ka marrë përmasa të mëdha.
Këtu çalojnë edhe masat parandaluese, pasi pushteti lokal që në varësi sipërfaqet pyjore e ka të mangët shërbimin pyjor, që mund të parandalojë zjarrin që në momentin e parë që shfaqet. Për këtë arsye, emergjencat civile pak kohë më parë i kanë kërkuar prefekteve dhe kryetareve të bashkive që të marrin masat e duhura për të parandaluar përhapjen e zjarreve në zonat pyjore si dhe të kalojnë detyrimin prej 3 për qind të buxhetit lokal për emergjencat civile.
Nga ana tjetër, që nga kjo verë e cila fatmirësisht ka qenë e lagësht dhe nuk favorizuar zjarret në zonat pyjore, Ministria e Mbrojtjes ka pajisur edhe dy helikopterë “Kugar” me kova me kapacitet 2500 litra ujë për fikjen e zjarreve në zonat pyjore.
Top Channel