Rovena Gashi ngel në vetting, KPK kofirmon gjyqtarin e Lartë Ardian Dvorani

25/07/2018 12:22

Gjyqtari i Lartë Ardian Dvorani gjithashtu një nga ekspertët e nivelit të lartë të reformës në drejtësi e kaloi me sukses provën e vettingut.

“Konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Ardian Dvorani”, tha kreu i trupës gjykuese. Ndryshe nga kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Xhezair Zaganjori i cili e ndoqi nga zyra dhënien e vendimit që dhe atë e konfirmoi në detyrë, Ardian Dvorani ishte vetë i pranishëm në sallë.

Për këtë arsye në përfundim, Ardian Dvorani dha një mesazh për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e republikës, që sipas këndvështrimit të tij duhet të përballen, me vettingun.

“Të respektojë Kushtetutën dhe ligjin, por të respektojë dhe instituticonet. Kushdo qoftë ai që jep vendimin, gjyqtari duhet të paraqitet sepse në këtë mënyrë tregon se respekton Kushtetutën dhe ligjin. Pavarësisht kush ishte vlerësimi im për veten time, gjithsesi mbetet subjektiv. Unë ndjehem mirë që komisionin e vlerësoi karrierën time dhe mënyrën time të jetesës si pozitive”, tha Dvorani.

Deri tani gjykata e Lartë është në krizë për sa kohë presin për të gjykuar 24 mijë dosje. “Gjykata e Lartë është në vështirësi në këto momente objektive. Ne po bëjmë të pamundurën për të përballuar ngarkesën, po gjithsesi me një numër të kufizuar gjyqtarësh ne do të zgjidhim gjithçka që është e mundur të zgjidhet sipas ligjit. Zgjidhje nuk mund të japë Gjykata e Lartë, sepse numrin e gjyqtarëve nuk e plotëson Gjykata e Lartë. Detyra jonë është që kudo ku ligji na jep hapësirë të gjykojmë trupat gjykuese, të gjykojmë çështjet emergjente, prioritare, konfliktet mes gjykatave, kërkesat për pezullim”, tha Dvorani më tej.

Gjatë ditës, përveç zotit Dvorani u konfirmua në detyrë dhe gjyqtari i gjykatës civile të Tiranës, z. Astrit Faqolli. Të tre komponentët e vetingut për gjyqtarin e Tiranës u konsideruan të rregullta. Ai është gjithashtu dhe kandidat për në KLGJ.

Ndërkohë komisioni i vettingut, shkarkoi nga detyra Rovena Gashin. Prokurorja e Prokurorisë së Përgjithshme e cila në fakt, është e pezulluar për shkak të një procesi penal, nuk u paraqit as në seancën dëgjimore dhe as në seancën në të cilin u shpall verdikti.

Rovena Gashi është e para që hapi një betejë me Komisionin e Vettingut, ku në seancën dëgjimore e konsideroi vendimin e saj të paragjykuar dhe të ndërmarrë muaj më parë, atëherë kur ishin dërguar pyetjet e para nga Komisionin i Vetingut. Dhe tani që mori verdiktin e shkarkimit, Rovena Gashi ka kohë të merret me një çështje tjetër, të cilën e ka dërguar në Strasburg ku kundërshton shtetin shqiptar për procedurat se si ajo u pezullua nga detyra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA