Panagiotis Dagalos është një prej të mbijetuarve nga flakët që përfshinë periferinë e Athinës.
Ai ndodhej me pushime aty, e sapo ka parë flakët e para ka nxituar që të marrë plaçkat e tij e të largohet me makinë, por në një moment të caktuar ka parë që kjo nuk ishte më e mundur.
“Mora djalin dhe fillova të vrapoja drejt plazhit. Nuk e di se çfarë ka ndodhur me gruan time, besoj se është djegur këtu. Rrugën drejt detit e pata fiksuar mirë, sepse vetëm një ditë më parë pata shkuar aty”, ka treguar para kameras, Dagalos.
Ai është rikthyer pranë makinës së djegur me shpresën që të kuptojë se çfarë ka ndodhur, e ku ndodhet bashkëshortja e tij.
Mbi 80 është bilanci i vdekjeve, por me skuadrat që po shkojnë derë më derë në kërkim të trupave, nuk është çudi që ai të rritet akoma më shumë.
Ai që shumë shpresuan të kthehej në rrugën e shpëtimit nga flakët dhe tymi, në fakt u kthye në rrugë vdekje: shumë trupa të pajetë u gjetën në plazhe e disa edhe në ujë.
“Erdhi shume shpejt; hodha sytë prapa shtëpisë dhe pashë zjarrin, pastaj se kur doli përpara. Ishte një ferr i vërtetë. S’kishe ç’ti bëjë”, tha një i mbijetuar.
Përpara se të pllakoste fatkeqësia, thotë i mbijetuari Nikos Stavrinidis, u dëgjua një zhurmë e fortë, si gjëmim alarmi. Gjithçka ndodhi shumë shpejt, vazhdon burri. Zjarri ishte larg, por shkëndijat e tij mbërritën tek ne duke i vënë flakën gjithçkaje përreth.
Top Channel