Dhuna ka shpërthyer ndërsa miliona njerëz i janë drejtuar qendrave të votimit në Pakistan, me të paktën 31 viktima në sulmin më të rëndë, një bombë në qytetin e Kuetës.
Në zona të tjera, shpërthime më të vogla dhe përleshje janë regjistruar mes kundërshtarëve, me disa të lënduar dhe dy të vdekur. Zgjedhësit po vendosin mes partisë së ish yllit të kriketit, Imran Khan, dhe ish kryeministrit Navaz Sharif.
Por, fushata ka qenë e dominuar nga shqetësimet për mashtrime dhe dhunë. Komisioni pakistanez për të drejtat e njeriut, tha se ka pasur përpjekje flagrante për të manipuluar procesin.
Khan, ka premtuar se do të luftojë korrupsionin por rivalët e tij e akuzojnë për përfitime nga ushtria e fuqishme, që ka sunduar Pakistanin përgjatë pothuajse gjysmës së historisë së tij.
Në Pakistan nuk janë të pazakonta trazirat politike dhe muajt e fundit kanë rezultuar të dominohen prej tyre. Navaz Sharif, njeriu që fitoi zgjedhjet e kaluara, po e ndjek këtë garë nga burgu pasi është arrestuar për korrupsion.
Pavarësisht masave të larta të sigurisë në vend, me më shumë se 370 mijë trupa dhe qindra e mijëra oficerë policie të dislokuar në mbrojtjen e votave, incidentet e dhunës nuk kanë mundur të mungojnë.
Top Channel