Xhezair Zaganjori mungoi në ditën vendimtare të karrierës së tij. Por gjyqtari i lartë dhe njëkohësisht kryetar i Gjykatës Supreme e dëgjoi nga zyra vendimin që e nxori fitimtar në procesin e skanimit të drejtësisë.

Gjatë shpalljes së këtij rezultati, përveç medias e Gardës, e pranishme ishte vetëm zëdhënësja e Gjykatës së Lartë. Por gjyqtari i lartë Xhezair Zaganjori e provoi të premten peshën e Vetting-ut, kur u ul përballë komisionerëve të pavarur të kualifikimit, duke u kthyer për herë të parë nga një gjyqtar karriere në avokat i vetes. Gjyqtari i lartë rrëzoi gjetjet e KPK-së dhe të ILDKPKI-së mbi pasuritë e vendosura që komisionerët i parashtruan si të pajustifikuara.

Xhezair Zaganjori deklaroi se provat tregojnë të kundërtën, sepse, sipas tij, apartamenti, zyra, biblioteka dhe një bodrum nuk janë blerë, por janë një investim familjar pas privatizimit të një trualli të trashëguar. Por tashmë që kryetari i Gjykatës së Lartë e kaloi provimin më të vështirë të jetës së tij profesionale, derisa sita e Vetting-ut të përfundojë, ai drejton një gjykatë që gjendet në krizë sepse është e vështirë që të krijohet Kolegji Penal.

3 anëtarë të Gjykatës së Lartë janë shkarkuar nga Vetting-u dhe fati i një të katërti që u konfirmua në detyrë është në pikëpyetje në shkallën e dytë. Të mërkurën do të shpallet vendimi për gjyqtarin e lartë Ardian Dvorani, ndërkohë që në datën 30 do të jetë nën ethet e Vetting-ut Medi Bici.

Nga Gjykata e Lartë kanë mbetur pa marrë ftesën për në seancë dëgjimore vetëm dy: Artan Broci e Shkëlzen Selimi. Ndërkohë, gjatë ditës ishte para Vetting-ut edhe prokurori i Korçës, Elsion Sadiku, të cilit i dolën probleme me pasuritë dhe aftësitë profesionale.

Top Channel