Koreja e Veriut duket se ka nisur çmontimin e një pike të rëndësishëm të lëshimit të raketave në veriperëndim të vendit.

Pamjet satelitore të stacionit “Sohae”, të shqyrtuara nga një grup monitorimi me qendër në SHBA, tregojnë se Peniani po përmbush premtimin që iu dha SHBA në qershor.

Presidenti amerikan Donald Trump tha se lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, kish premtuar se do të shkatërronte një sajt testimi raketash, por nuk kishte specifikuar se kë. Peniani ka pretenduar se Sohae është një sajt lançimi satelitësh, por zyrtarët amerikanë dyshojnë se ai është përdorur për të testuar raketa balistike.

Gjatë takimit historik mes presidentit Donald Trump dhe Kim Jong-un, në Singapor, muajin e kaluar, dy liderët nënshkruan një marrëveshje për të punuar për denuklearizimin e plotë të gadishullit korean. Por, marrëveshja u kritikua për mungesë detajesh se si dhe kur Peniani do të heqë dorë nga armët e tij bërthamore.

Ajo që duket si çmontim i sajtit të testeve në Sohae, vjen në mesin e shtimit të paqartësisë mbi vullnetin e Koresë së Veriut për t’iu përmbajtur premtimeve të dhëna në samitin e 12 qershorit. Më herët të hënën, Trump tha se ishte shumë i kënaqur me progresin në marrëdhëniet me Korenë e Veriut, duke thënë se Peniani nuk kishte lançuar asnjë raketa apo nuk kishte bërë asnjë test bërthamor gjatë nëntë muajve të fundit.

Sidoqoftë, sipas raporteve të fundit të bazuara në të dhënat e inteligjencës amerikane, Koreja e Veriut mund të jetë duke vazhduar ende programin e saj të armatimeve. Ato raporte tregojnë se sajti i vetëm zyrtar i pasurimit të uraniumit në Korenë e Veriut, në Jongbjon, është ristrukturuar dhe se vendi po vijon me pasurimin edhe në vende të tjera sekrete.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA