Imagjinoni një vend që është aq i vogël, sa mund të bëhet ski në mëngjes dhe plazh pasdite. Mali i Zi është një shtet në gadishullin e Ballkanit, plot me mrekulli natyrore ku njerëzit njihen për mikpritjen dhe entuziazmin.

Por kur udhëheqësi i botës së lirë demokratike, Donald Trump, e fut vendin tonë në ciklet kaotike të lajmeve, duke na quajtur “popull shumë agresiv”, ne duhet të përgjigjemi.

A ka Mali i Zi një histori të përkryer? Jo, por jemi përpjekur të ruajmë lidhjet me aleatë që kanë mendje të ngjashme, të cilët na nevojiten për të vazhduar me përpjekjet tona.

Meqenëse popullsia jonë është rreth 600,000 banorë, mund të dukemi të parëndësishëm për shumë. Por vullneti dhe dëshira për të qenë anëtarë të përgjegjshëm të komunitetit ndërkombëtar duhet të na njihet e të mbështetet. Sigurisht, nuk është se NATO do të bjerë pa Malin e Zi, por Mali i Zi mund të mos mbijetojë pa NATO-n.

Megjithatë, kombi ynë i vogël ka arritur të përmbushë gjëra të pabesueshme.

Gjatë kohës së komunizmit, kur ishim pjesë e Jugosllavisë, malazezët ndërtuan rrugë, hekurudha dhe porte për tregti.

Në këto 12 vite pavarësi, Mali i Zi është bërë një nga vendet turistike më të preferuara në Europën Qendrore e Lindore. Është bërë gjithashtu një vend kryesor për investimet të huaja.

Po ashtu, vendi ynë ka tërhequr shumë njerëz nga rajoni që kërkojnë një vend të sigurt që ta quajnë shtëpi. Ne përqafojmë vlerat dhe rrymat Europiane, si respekti për të drejtat e njeriut, liria, demokracia, barazia dhe rendi ligjor.

Veç kësaj, kemi pasur edhe zhvillim ekonomik. Kemi një strategji fiskale               që synon ta ulë borxhin e jashtëm nga 73% në 63% të PBB deri në vitin 2020.

Dikur kemi qenë shoqëri konservatore e tani kemi përqafuar diversitetin. Paradat e komunitetit LGBT janë zhvilluar rregullisht e pa incidente, si dhe kemi bërë përpjekje të mëdha në politikë dhe ekonomi për të ulur hendekun midis burrave dhe grave.

Jemi krenarë që kemi shumë gra në role të rëndësishme, si ministra qeveritarë, anëtare parlamenti dhe drejtuese korporatash. Gjithashtu po luftojmë fort që ta çojmë barazinë gjinore në nivele të njëjta me Europën Perëndimore.

Shumë breza janë rritur me fjalët e gjeneralit dhe shkrimtarit malazez, Marko Miljanov Popviç, i cili ka thënë: “Trimëri është të mbrosh veten nga një tjetër, dhe humanizëm është të mbrosh të tjerët edhe nga vetja”.

Kur e sheh nga ky këndvështrim, ndihesh se nuk ka pasur kohë në të cilën Mali i Zi nuk ka qenë në pozicion mbrojtjeje.

Sigurisht, në të shkuarën, në vendin tonë është mbështetur racizmi dhe mungesa e tolerancës fetare. Por gjatë Luftës së Dytë Botërore, dy partizanë jugosllavë, Boro Vukmirovic (malazez i etnisë serbe), dhe Ramiz Sadiku (malazez me origjinë shqiptare), zhvilluan një miqësi të fortë.  Fashistët e vendit tonë refuzuan ta pranonin këtë miqësi dhe i ekzekutuan të dy në vitin 1943.

Por kur komunistët morën pushtetin, pas luftës, ata e kthyen miqësinë e ushtarëve në një simbol vëllazërimi e bashkimi, një shprehje që u kthye në parullë të partisë komuniste në Jugosllavi.

Ai simbol tolerance vazhdoi edhe në vitet ’90, gjatë luftërave jugosllave. Malazezët përqafuan njerëz nga të gjitha anët e rajonit. 30,000 refugjatë nga Bosnja dhe Kroacia gjetën vend në vendin tonë të vogël, në mes të viteve ’90. 28,000 të tjerë mbërritën më vonë, në vitin 1998, gjatë krizës në Kosovë.

Mali i Zi njeh 22 grupe fetare sot, të cilëve u garantohet liria dhe barazia me Kushtetutë.

U kemi hapur krahët të tjerëve edhe kur kemi qenë të rrethuar nga problemet tona. Siç tha ministri ynë i jashtëm, Srdjan Marmanovic, teksa i përgjigjej komentit “agresiv” të Trumpit: “malazezët kanë shekuj që luftojnë për liri, dhe malazezët kanë qenë një popull trim gjatë këtyre betejave për liri.”

Na është dashur të përballemi me probleme të trashëguara nga epoka komuniste. Proceset e privatizimit, të cilat nuk patën sukses, sollën mbylljen e shumë fabrikave. Dikur një gjigant i industrisë, Mali i Zi tani ka qyteza fantazmë që kanë lënë me mijëra banorë pa punë.

Por ne kemi besim se rruga që kemi zgjedhur, me ndihmën e aleatëve, do t’i zgjidhë problemet në mënyrë paqësore. E kuptojmë shumë mirë rëndësinë e integrimit.

Mos harroni që Mali i Zi nisi procesin për t’u bashkuar me NATO-n edhe pse në vitin 1999 u bombardua nga aleanca. Ndonëse Mali i Zi nuk ishte shënjestër e NATO-s, një avion bombardoi disa zona në vendin tonë, që në kohën e luftës me Kosovën ishim pjesë e republikës federale të Serbisë. Ne u bashkuam me NATO-n që tmerret e asaj periudhe të mos përsëriten më kurrë.

Mali i Zi është i vogël, por populli ynë është bujar e krenar, ndaj duam të trajtohemi si të tillë. I kemi bërë vend vetes në shoqërinë moderne me ndershmëri, dhe shpresojmë që askush të mos ketë arsye për të na bërë dëm në të ardhmen.

CNN, Maja Milikic

*Maja Milikic punon prej vitesh si pjesëmarrëse aktive e reformave dhe proceseve të integrimit europian në Mal të Zi. Ajo është analiste, folëse mediatike dhe shkrimtare.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA