Pasi i shpëtoi Vettingut nëpërmjet dorëheqjes, ish-Kryeprokurori i vendit, duket se nuk i ka shpëtuar institucionit që kishte nën varësi kur ishte në detyrë, Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Me kërkesë të kësaj të fundit, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vënë nën sekuestro preventive pasuri të paluajtshme në emër të ish-Kryeprokurorit të vendit Adriatik Llalla me vlerë mbi 800 mijë euro.
Mes pasurive të sekuestruara është një apartament në qytetin e Durrësit dhe mbi 22 mijë metra katrore tokë are në Tiranë.
Këto sekuestro, sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, janë vendosur si garanci në lidhje me hetimin që ka nisur ndaj Kryeprokurorit Llalla, i cili akuzohet për fshehje të pasurisë.
Fillimisht, hetimet ndaj Llallës nisën kryesisht nga prokuroria e Durrësit, pas dyshimeve se nuk kishte deklaruar të gjitha pasuritë e paluajtshme që dispononte. Më pas, hetimi u transferua tek Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila pas veprimeve hetimore të kryera në bashkëpunim edhe me policinë, u këkroi gjykatës të sekuestronte pasuritë e Llallës, si garanci për hetimin që ka nisur.
Ndërkohë, vetë ish-Kryeprokuroi Adriatik llalla, që pas dorëheqjes është larguar nga vendi. Ai nuk u paraqit as në Komisionin e Apelit, ku komisioneri publik kërkoi që Llalla të kalonte në Vetting edhe pse kishte dhënë dorëhqjen nga sistemi.
Burimet flasin se Adriatik Llalla po qëndron në Gjermani, duke iu shmangur hetimeve që kanë nisur ndaj tij. Ndërsa para Vettingut, avokati i Llallës paraqiti një dokument që tregonte se Llalla fliste nga Turqia.
Top Channel