Mishi shitet pa kushte frigoriferike, sekuestrohen 20 kg në Korçë

23/07/2018 13:20

AKU ka bllokuar në Korçë një sasi mishi që shitej jashtë kushteve frigoriferike, në një kohë që temperaturat në vend kanë regjistruar mbi 30 gradë Celcius.

“Mjeti me targa “AA 233 NR” kishte të ngarkuar në bagazhin e tij produkte mishi, përkatësisht 20 kg kokë lope, 7 kg të brendshme dhe 3 lëkurë lope. Automjeti është sekuestruar menjëherë si dhe shtetasi Josif Dodi është dërguar në ambientet e Drejtorisë Rajonale Korçë . Në deklarimin e subjektit thuhet se produktin e ka marrë në një fermë blegtorale të shtetasit, Feti Pasho por nga verifikimet e inspektorëve të AKU-së rezultoi deklarim ishte i rremë pasi nuk u konstatua gjurmë therjeje apo mjete për therjen e kafshëve”, njofton AKU.

Për këtë shkelje përveç masës administrative së bllokimit të produktit dhe konfiskimit të automjetit u morën edhe masë administrative me gjobë në vlerën 250.000 lekë .

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën thirrje konsumatorëve që të jenë të kujdesshëm në blerjen e produkteve shtazore duke kërkuar informacione në njësitë e tregtimit të mishit që të jetë i vulosur, i shoqëruar me certifikatë veterinare, kuponin tatimor, si mjet për sigurinë e gjurmueshmërisë së produktit.

Top Channel