Dhjetëra persona kanë humbur jetën në Japoni, ndërsa vendi vazhdon të shkrijë nën temperaturat përvëluese të verës.
Të paktën 44 persona kanë humbur jetën nga 9 korriku, me 11 viktima të regjistruara vetëm të shtunën ndërsa temperaturat qëndruan në rreth 38 gradë celsius në qendër të Tokios, të hënën.
Në disa zona fqinje, 41.1 gradë celsius, temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Japoni, thuajse 12 gradë më e lartë se temperatura mesatare në këtë kohë të vitit. Autoritetet kanë parashikuar temperatura ekstreme të larta për pjesën më të madhe të vendit me Hokkaidon të vetmin nga katër ishujt kryesorë , që pritet t’i shpëtojë përvëlimit.
Zyrtarët kanë këshilluar njerëzit që të marrin masat e duhura, përfshirë konsumin e shumë lëngjeve, qëndrimin larg rrezeve të diellit dhe përdorimin e kondicionerëve.
Muaji i kaluar ishte qershori më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë sipas administratës kombëtare amerikane për Oqeaninë dhe atmosferën. Në shkallë globale, temperatura mesatare në oqean dhe në tokë, për tre muajt e parë të vitit, ishte e gjashta më e lartë që kur regjistrimi i të dhënave ka nisur në 1880.
Pjesa më e madhe e hemisferës veriore, ka përjetuar një verë përvëluese të karakterizuar nga valë të nxehti dhe mot ekstrem. Azia është goditur më rëndë me shumë viktima si pasojë e përmbytjeve dhe shirave të rrëmbyeshëm.
Top Channel