Pasditen e sotme përfundoi edhe seanca dëgjimore e vettingut për Kryetarin e Gjykatës së lartë, Xhezair Zaganjori, i cili dëgjoi relacionin e KPK-së dhe dha sqarimet e tij për të gjitha gjetjet.

Në dalje të sallës, Zaganjori bëri një prononcim të shkurtër edhe për mediat e pranishme, duke theksuar se ka dokumentuar dhe sqaruar çdo çështje para gjyqtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

“Unë erdha këtu për të respektuar Komisionin, si dhe për të sqaruar dhe dokumentuar të gjitha gjërat. Kam shkuar deri në Gjermani për të mbledhur në kohë të gjitha dokumentet e duhura, për të raportuar mbi figurën time”, deklaroi Zaganjori.

Kreu i Gjykatës së Lartë u paraqit i vetëm në seancën dëgjimore, duke mos zgjedhur të mbrohet me avokat, ndërsa KPK-ja raportoi disa mospërputhje në disa nga deklaratat e tij të pasurisë.

Kështu sipas KPK-së ka probleme në deklarimin e një apartamente më tepër se 200 metra katrorë në pronësi të Zaganjorit, por edhe në deklaratën e shpenzimeve për arsimimin jashtë shtetit të fëmijëve të tij.

Top Channel