Veliaj pret Presidenten Kitarović: Kroacia, zëdhënëse e rrugëtimit tonë drejt BE

20/07/2018 16:19

“Jam surprizuar nga ndryshimet që pashë në Tiranë”, ishin fjalët e Presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović, e cila në vijim të vizitës së saj në Shqipëri, u prit sot në një takim të veçantë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Presidentja Kitarović dhe kryebashkiaku Veliaj diskutuan për rritjen e bashkëpunimit mes Tiranës dhe qyteteve kroate, si dhe mundësitë e shkëmbimit të eksperiencave pozitive.

“U shpreha edhe më herët për median kroate, sa e surprizuar jam me ndryshimet që pashë në Tiranë. Që prej vizitës time të parë këtu në 1993, pashë se sa ka ndryshuar qyteti”, tha Kitarović, e cila u shpreh shumë e nderuar për marrjen e “Çelësit të Qytetit”.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi rolin që Kroacia ka luajtur dhe po luan për një politikë me dyer të hapura për rajonin e Ballkanit, si zëdhënëse e përparimit tonë drejt BE-së. “Kroacia ka mbajtur një politikë me dyer të hapura për rajonin, duke u bërë zëdhënëse e përparimit tonë drejt BE-së. Mendoj se për ne, Kroacia dhe lidershipi i saj, mrekullia e transformimit të Kroacisë në procesin e integrimit në BE, është jo thjesht një destinacion, por një rrugëtim. Ndaj, po mbajmë shënime dhe jam jashtëzakonisht i frymëzuar nga ky rrugëtim”, deklaroi Veliaj.

Në shenjë miqësie, Veliaj i dorëzoi Presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović edhe “Çelësin e Qytetit”. “Po e vendos këtë çelës në xhepin tuaj, në emër të Këshillit Bashkiak dhe ekipit tonë, si një mënyrë për të shprehur vlerësimin tonë maksimal për advokacinë tuaj të mrekullueshme, jo vetëm për Kroacinë, por për të gjithë rajonin. Ne ju shohim si një prej nesh, e si e tillë po ua japim këtë çelës, ndaj nuk ka rëndësi se ku do t’ju shpjerë jeta, si Presidente, si qytetare, turiste, ose thjesht një mike që kthehet sërish, ju gjithmonë do keni çelësin e një vendi që ju mirëpret”, deklaroi Veliaj.

Më pas, Presidentja kroate dhe kryebashkiaku i Tiranës vizituan edhe “Parkun Europa” në sheshin “Skënderbej”, ku në mënyrë simbolike të miqësisë, mbollën edhe një pemë.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA