Prokurorja Rovena Gashi, pak minuta para seancës së Vetting-ut, ka shpërndarë një njoftim ku thotë që nuk do të jetë prezente në seancë sepse Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) i ka “pamundësuar pjesëmarrjen reale dhe efektive në seancën dëgjimore“ të ditës së sotme. Ajo madje nuk ka pasur në seancë as avokat. KPK-ja vazhdoi seancën dëgjimore si zakonisht, pa praninë e mediave.

Në letrën drejtuar KPK-së, Rovena Gashi shprehet se i është mohuar “çdo mundësi e realizimit të mbrojtjes”.

“Kjo seancë dëgjimore, të cilën trupa gjykuese do ta shpenzojë duke lexuar detyrimet kushtetuese që nuk i ka përmbushur, e duke akuzuar subjektin e rivlerësimit, ndërkohë që nuk e ka lejuar atë të paraqesë asnjë provë të kundërt, përbën vetëm një arenë diskretitimi publik të njerëzve të drejtësisë, me qëllim eleminimin e pushtetit gjyqësor. Përsa kohë që kjo trupë gjykuese, e kontestuar 5 herë nga ana e subjektit të rivlerësimit Rovena Gashi, vlerëson se, ka zhvilluar nje proces të rregullt ligjor, duke përmbushur të gjithë detyrimet e tij dhe duke lejuar ushtrimin e të gjithë të drejtave për subjektin e rivlerësimit, atehërë kjo trupë gjykuese është e lirë dhe madje, në këtë pikë, ka detyrimin të marrë një vendim ndaj subjektit të rivlerësimit Rovena Gashi, edhe pa praninë e saj në seancë”, lexohet në njoftim.

Sipas Rovena Gashit, KPK-ja nuk ka garantuar zhvillimin e procesit të saj të rivlerësimit nga një trupë gjykuese e pavarur dhe e paanshme; Procesi i rivlerësimit ishte i paragjykuar dhe se vendimmarrja në lidhje me të ishte e paracaktuar, e ku, të gjithë janë dëshmitarë të kësaj dhe faktet e ndodhura e kanë vërtetuar një gjë të tillë; Trupa gjykuese dështoi në dhënien e garancive se ishte e pavarur, e paanshme dhe e përgjegjshme gjatë ushtrimit të detyrës; U bë një proces i pabarabartë rivlerësimi, duke iu cënuar procesi i rregullt ligjor dhe të drejtat themelore gjatë kësaj procedure.

Për të gjitha arsyet e mësipërme, Rovena Gashi kërkon rikonfirmimin në detyrë, si Prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA