Situata kritike e ndotjes detare dhe nevoja për plazhe të pastra në Adriatik janë diskutuar në prani të Presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, gjatë prezantimit të projektit për “Menaxhimin e ndotjes detare dhe bregdetare për rritjen e sigurisë në det dhe në porte” në Durrës.

Në fjalën e saj, Presidentja kroate e vuri theksin në rëndësinë e sigurisë dhe mbajtjes pastër të ujrave të Adriatikut dhe brigjeve të tij, për një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit në vendet tona.

“Ne do të punojmë së bashku me Shqipërinë dhe Malin e Zi për menaxhimin e mbetjeve. Në dimër rrymat detare i sjellin mbetjet në brigjet tona dhe sigurisht investojmë shumë para’ që t’i pastrojmë. Parapëlqejmë t’i investojmë këto para në parandalimn e ndotjes”, deklaroi Kitaroviç.

Ceremonia u çel nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, ndërsa fjalën e mori dhe Znj. Limya Eltayeb, Drejtore e PNUD-it në Shqipëri, e cila theksoi se përvoja dhe donacioni kroat në këtë projekt do të jenë shumë të vlefshme për zbatimin e projektit në Shqipëri dhe përgjigjes së emergjencave mjedisore.

Vlerësimi i rriskut, rritja e gadishmërisë dhe reagimit duke përfshirë burimet publike dhe private në përgjigje të emergjencave, derdhjes së naftës apo substancave të tjera të rrezikshme në det, si dhe përmirësimi i kuadrit ligjor shqiptar në përputhje me atë të BE-së janë disa nga aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër të këtij projekti, që do të përfshijë administratat bashkiake e portuale, Rojen Bregdetare, Doganat, Mbrojtjen Civile dhe institucione të tjera të sistemit kombëtar të reagimit ndaj emergjencave në vend.

Top Channel